Pas denoncimit në emisionin “Stop” në Tv Klan”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra komisarin Lorenc Braho, shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj këtij punonjësi policie, për shkelje të rëndë. Punonjësi i policisë Braho akuzohet për abuzim me detyrën.
Denoncimi në emisionin investigativ “Stop” u bë nga një nënë e divorcuar, e cila është ngacmuar me mesazhe nga shefi i krimeve të Divjakës.
Ajo u certifikua për police burgu, por nuk është pranuar pasi nga shefi i krimeve në Komisariatin e Divjakës është dërguar informacion negativ në Drejtorinë e Përgjithshme, me argumentin se dënimi i të vëllait të kandidates për trafik klandestinësh e kishte penalizuar njëherë atë kur kërkoi të bëhej police shteti. Por, sipas denoncueses ajo ishte konsultuar dhe një gjë e tillë nuk e pengonte.
Në reagimin e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë deklaron se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj çdo abuzues me detyrën dhe besimin e qytetarëve.
Tv Klan