Kryeministri i ri i Malit të Zi është zgjedhur Dritan Abazoviç me 45 vota për dhe tri kundër, bën të ditur vijesti.me.
Qeveria Abazoviç do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë të cilët janë edhe ministra të linjës dhe dy ministra pa portofol.
Në prezantimin e ekspozesë, Abazoviç tha se detyrë e kësaj gjenerate politikanësh është të punojnë rreth kompromise dhe interesave të përgjithshme të shoqërisë.
Obligim i secilit ministër të këtij kabineti qeveritar, tha Abazoviç, është të shoh kah e ardhmja dhe të mos kthehet në të kaluarën.
Për kabinetin e Abazoviçit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.
Kryeministri Edi Rama ka uruar Dritan Abazoviç për zgjedhjen e tij si kryeministër i vendit.
I lumtur që Dritan Abazovic është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë. Urime dhe sukses Dritanit, për Malin e Zi e për krejt rajonin tone
Përndryshe, sipas Abazoviç, qëllimi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor.
Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës të mbështetur nga DPS-ja.
Këto parti, së bashku me lëvizjen URA të Abazoviçit dhe SNP-në, kanë qenë në pushtet që nga zgjedhjet e gushtit 2020, kur pas tri dekadash e zhvendosën DPS-në në opozitë.
Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ajo shumicë parlamentare u shpërbë dhe anëtari më i vogël i saj, partia URA e Abazoviçit, hyri në procesin e formimit të një qeverie të pakicës me mbështetjen e DPS-së së Gjukanoviçit.