Komuniteti LGBT+ bie ndesh me institucionin e familjes dhe vlerës që ka familja për shqiptarët, sipas këndvështrimit të pastorit Akil Pano.
Ai thotë se fëmijët në familje mes heteroseksualësh janë më të shëndetshëm “emocionalisht dhe moralisht”.
Familja për të është ajo që i përgatit fëmijët për t’u përballuar me vështirësitë në jetë, por sipas tij prindërit nuk mund të jenë pjesë e LGBT+ që kjo të ndodhë.
Të gjitha këto Akil Pano i shprehu gjatë një interviste për emisionin Mirmëngjes në Euronews Albania.
Akil Pano ka mbajtur gjithmonë qëndrim radikal në mbështetjen e familjes tradicionale.
“Nuk kam diskutuar kurrë a kanë apo nuk kanë vlera, pasi cdo qënie njerëzore ka vlera të cilat i merr që me krijimin. Por natyrisht nuk bashkëndajmë disa mendime që lidhen me jetën, me familjen, me vijimin e jetës në planetin tonë. Natyrisht kemi parë që është shumë i nevojshëm ndërtimi i koalicionit shqiptar pro familjes edhe jetës. Jo për të trajtuar problematikat që ne i shikojmë me këtë betejë vlerash midis grupimeve të caktuara, por kemi nevojë ta mbrojmë familjen nga të qenit një familje që duhet të rrisë fëmijë të shëndetshëm, të shëndetshëm moralisht, të shëndetshëm emocionalisht. Dhe t’i përgatisë fëmijët të përballen me dallgat e vështirësive të jetës”, u shpreh ai.