Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese njoftoi të mëkurën në mbrëmje se ka rrëzuar kërkesën e parlamentit për shkakrkimin e presidentit Ilir Meta, pasi në gjykimin e saj nuk ka patur “shkelje të rënda të kushtetutës”, për të cilat kreu i shtetit mund të largohej nga detyra.
Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.
Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin, deri në marrjen e vendimit.
Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës.
“Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës”, saktësohet në vendimin e Gjykatës. Neni 86, pika përcakton se “Presidenti…përfaqëson unitetin e popullit”. Ndërsa sipas nenit 89 “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Sipas vendimit të parlamentit Presideti Meta, kishte përcjellë mesazhe përçarëse dhe se kishte marrë anën e opozitës përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar.
Parlamenti pretendonte gjithashtu se presidenti kishte shkelur betimin si kryetar i shtetit, të përcaktuar në nenin 88, pika 3 të Kushtetutës. Por sipas Gjykatës as këtu “nuk ka shkelje të rëndë” pasi “faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës; faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës; faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.
Po ashtu, sipas Gjykatës “faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”. Neni 94 parashikon që “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se vendosi “shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Në një reagim të parë, menjëherë pas njoftimit, zëdhënësi i presidentit u shpreh përmes një postimi në Facebook, se vendimi i gjykatës Kushtetuese nuk kishte asgjë të papritur: “Zero surprizë për presidencën. Kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar”.