Papa Leo XIV publikoi të hënën enciklikën e tij të parë, ku bëri thirrje për vigjilencë dhe rregulla të qarta në zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA), duke theksuar se teknologjia duhet të mbetet në shërbim të njeriut.
Dokumenti, i titulluar “Magnifica humanitas: Mbi mbrojtjen e personit njerëzor në kohën e inteligjencës artificiale”, nënvizon nevojën për transparencë, përgjegjësi dhe llogaridhënie në çdo fazë të zhvillimit të IA-së.
Papa kërkoi krijimin e politikave dhe kornizave ligjore të përshtatshme, mbikëqyrje të pavarur dhe edukim të përdoruesve për përdorimin e teknologjive të reja.
Ai paralajmëroi gjithashtu kundër përqendrimit të teknologjisë në duart e pak individëve apo kompanive, duke kërkuar akses të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Në enciklikë theksohet nevoja për mbrojtjen e shtresave më të prekshme të shoqërisë, luftën kundër urrejtjes dhe dezinformimit, si dhe ruajtjen e kontrollit publik mbi teknologjinë.
“Parimi udhëheqës nuk duhet të jetë vetëm fitimi, por dinjiteti i çdo personi dhe e mira e përbashkët”, thuhet në dokument.
Papa Leo XIV kërkoi gjithashtu “çarmatimin” e inteligjencës artificiale nga mentaliteti i konkurrencës ushtarake dhe ekonomike, duke theksuar se teknologjia nuk duhet të zëvendësojë kurrë njerëzimin.
“Njerëzimi, në gjithë madhështinë dhe plagët e tij, nuk duhet të tejkalohet apo zëvendësohet kurrë”, përfundoi ai.



