Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona që dyshohet se kanë djegur dhe grisur flamujt serbë, në protestën e djeshme para Kryeministrisë. Janë vënë në pranga A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu, autoritetet bëjnë me dije se po për këto incidente të protestës së djeshme u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.
Tetë personat akuzohen për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.
“Strukturat e Policisë së Shtetit, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.
Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”, njofton policia.
Protesta e djeshme u thirr nga ish-kryeministri, Sali Berisha për ardhjen e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë dhe kundër iniciativës “Ballkani i Hapur”.