Shkëlzen Shehu nga Peshkopia denoncon një konflikt me firmën e ndërtimit “Selami” sh.p.k., pas blerjes së një apartamenti në vitin 2019. Në momentin e blerjes, apartamenti dispononte certifikatë pronësie, ku sipërfaqja përcaktohej 126.4 metra katrorë. Shkëlzeni thotë, se ka paguar të gjithë vlerën e apartamentit, plot 60 milionë lekë të vjetra, por ende nuk ka arritur të përfundojë procedurat për certifikatën e pronësisë.Sipas tij, pengesa ka lindur pasi firma e ndërtimit i ka kërkuar pagesë shtesë për disa metra katrorë për hapësira të përbashkëta. “Stop” iu drejtua noterit Ilir Krashi, i cili tha, se bëhet fjalë për një kontratë shitblerjeje me rezervë pronësie dhe se, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, kushtet e likuidimit nga blerësi janë përmbushur. Mosmarrëveshja për disa metra katrorë, sipas sqarimit të marrë, nuk përbën në vetvete pengesë, që Kadastra të vijojë procedurën e regjistrimit.Gazetarja kontaktoi edhe pronarin e firmës, Musa Selami. Ai këmbënguli, se Shkëlzeni nuk i kishte paguar të gjitha detyrimet dhe deklaroi, se ishte i gatshëm t’i kthente paratë blerësit dhe t’i merrte apartamentin. Në vijim, “Stop” iu drejtua edhe Kadastrës dhe sipas përgjigjes së marrë, aplikimi fillestar i qytetarit, ishte kryer gabim, por me një aplikim të ri dhe dorëzimin e dokumentacionit përkatës, procedura mund të vijojë për marrjen e certifikatës së pronësisë.




