Gjatë takimit me fermerët, për prezantimin e projektbuxhetit, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe atyre që thonë se bujqësia në vendin tonë ka marrë fund.
Sipas tij, mjafton të shohim rritjen e eksporteve dhe tokën që punohet për të kuptuar që kjo nuk është e vërtetë.
“Sot kemi një rritje të eksporteve bujqësore në krahasim të disa viteve më parë. Atyre që bëjnë komente në “Facebook” se bujqësia ka marrë fund, u them që jeni out. Nuk dini se për çfarë flisni.
Mjafton të shohim faktet, shohim eksportet. Rritja e përvitshme e eksporteve tregon vetë. Eksportet rriten se rritet prodhimi. Rriten se rriten kapacitetet tregtuese të vendit. Mjafton të shohim tokën që punohet. Në 2013 punoheshin 120 mijë hektarë, ndërsa sot punohet 250 mijë hektarë. Si dhe pse e punojmë kaq shumë? Sepse kemi investuar fuqishëm në 230 mijë hektarë. Pse nuk punohej toka deri disa vite më parë, sepse nuk kishte as ujë dhe as kullim. Tjetra që është e rëndësishme, digat, të lëna në mëshirë të fatit. Sot jemi në kushtet kur kemi 40 diga të rehabilituara. 80 km argjinatura mbrojtëse të rehabilituara. Fondi në bujqësi për vitin 2022 do të jetë i pakrahasueshëm me atë të vitit 2021, e jo më me ato të disa viteve më parë. Kërkohet që të konceptohet si duhet projekti se si do të hidhen paratë”-tha Rama.