Rruga që çon në vendkalimet kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Jarinë, vazhdojnë të mbahen të bllokuara tash e pesë ditë nga serbët lokalë. Ata janë duke protestuar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitet për targat e automjeteve të Serbisë, që ka filluar të aplikohet nga dita e hënë.
Serbët kanë bllokuar rrugët me kamionë e vetura, duke pamundësuar lëvizjen e lirë në këtë anë, teksa përskaj rrugës kanë ngritur edhe tenda.
Përveç bllokadës së rrugës, situata deri tani është e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident.
Pak metra larg pikës doganore janë duke qëndruar edhe Njësia Speciale e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme ka vlerësuar se situata është e qetë deri tani, teksa u ka bërë thirrje serbëve të mos bllokojnë rrugët.