Republika e Kosovës është një nga shtetet që iu përgjigj pozitivisht kërkesës s SHBA-së për pranimin e refugjatëve afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të talebanëve.
Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të strehojë Kosova, por dihen tashmë vendet se ku mund të vendosën ata. Një nga to mund të jetë edhe Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Por kategorikisht kundër një vendimi të tillë janë studentët. Sipas përfaqësuesve te tyre, ata nuk kanë asgjë kundër ardhjes së afganëve dhe i mirëpresin ata, por ata nuk duhet të vendosen në Qendrën e Studentëve, pikërisht tani në prag të vitit të ri shkollor akademik.
Për sa i përket çoroditjes që mund të sjellë ardhja e refugjatëve të luftës, e pranon edhe drejtori i Qendrës Studentore, por nga ana tjetër shton se çdo vendim që vjen nga institucionet do të zbatohet.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e studentëve thonë se nuk do të ndalen me kaq nëse merret vendimi që refugjatët nga Afganistani vendosen në Qendrën e Studentëve.
Përveç Qendrës së Studentëve, afganët që do të strehohen në Kosovë pritet të vendosen edhe në qendrat e azilit në Magure dhe Vranidoll, si dhe ne dy ishkampe të KFOR-it, njëri në Prizren dhe tjetri në Vushtrri.