“Turpi i Shqiptarisë” – i quan Edi Rama ata që sipas tij, fabrikojnë e shpifin prej 30 vitesh në vend, sikurse akuzuesit e nxjerrjes së studentëve shqiptarë nga godinat e Qytetit Studenti për të strehuar në to refugjatët afganë.
Rama nuk harron të përsërisë se afganët janë si shqiptarët 30 vite më parë.
“Lidhja e strehimit paraprak të afganëve që janë si ne 30 vjet më parë, me gjoja nxjerrjen e studentëve nga konviktet është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhuar shpifjet më të ulëta në këtë vend! Ajo dorë është #TurpiiShqiptarisë”, shkruan Rama në Twitter.
Disa ditë më parë studentëve në Tiranë u është kërkuar të lënë konviktet e Qytetit Studenti, për t’u zhvendosur nga godina nr.2 dhe nr.4, të cilat janë përcaktuar fillimisht për vendosjen e afganëve, në godina të tjera, për të paktën tre javë.
Erion Veliaj deklaroi se në tetor të gjitha godinat në Qytet Studenti do të jenë në dispozicion të studentëve. Sipas tij, afganët do të transportohen më pas në hotelet në bregdet, që në atë periudhë janë liruar edhe nga fluksi i turistëve.