TIRANË
Zbardhen detaje të reja nga dosja e SPAK, që “fundosën” ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, ndaj së cilës GJKKO caktoi mbrëmjen e kaluar “arrest shtëpie”.
BalkanWeb” siguron dosjen e SPAK, ku përgjimet zbulojnë se si ish.zv/ministrja ka marrë ryshfet dhe dhurata për të punësuar një grua në Ministrinë e Brendshme. Siç raporton gazetarja Lala, hetimi nga SPAK ka nisur në vitin 2019, për një çështje tërësisht tjetër, që në fakt zbuloi rastin e ish-zv.ministres së Brendshme.
Sipas SPAK, nga hetimi dhe përgjimet ka rezultuar se Voda i kishte premtuar Florida Beut ta punësonte si specialiste në Ministrinë e Brendshme, duke i marrë njëherë shumën prej 1 mijë eurosh, më pas një telefon dhe një arkë me peshk.
Në dosjen e SPAK thuhet se pavarësisht se ajo ka aplikuar në 11 vende pune për t’u emëruar si specialiste, ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e përfituar vendin e punës. Por, pavarësisht kësaj, Voda ka përfituar dhurata prej saj, ndaj dhe e ka konsumuar veprën penale.
Sipas SPAK, më 13 shkurt 2020, Majlinda Hasani, avokate, është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren e kohës, Rovena Voda. Florida i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune. Ajo ka telefonuar një person, që kishte dijeni për vende pune. “Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, ka thënë ajo.
Gazetarja Lala, referuar dosjes së SPAK, thekson se ato i kanë dhënë Vodës shumën prej 1 mijë eurosh dhe sipas SPAK ky moment është filmuar, ndonëse eurot ishin në zarf. “Leku e hedh ujin përpjetë”, thotë më tej ajo.
SPAK thotë se ato i kanë bërë dhe një telefon dhuratë Vodës. Sipas SPAK, të tre gratë janë takuar edhe në një ambient të MB.
Ndërsa, takimi i fundit mes tyre është bërë më 06.03.2020, ku Voda shfaqet me makinën e saj, në Durrës, dhe ku Beu i ka dhënë dhe një arkë me peshk.