10 vjet burg nga gjykimi i shkurtuar për Nevaldo Hajdarajn, flet babai i Klodian Rashës. Si mund ta quash këtë drejtësi?

Gjykata e Tiranës dha dënimin me 15 vjet burg për ish-efektivin e Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj, i cili Dhjetorin e vitit të shkuar vrau me armë zjarri të riun 25-vjeçar Klodian Rasha. Duke qenë se më herët gjykata kishte pranuar kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, përfundimisht ish-efektivi do të bëjë 10 vjet burg.

Menjëherë pas dhënies së vendimit, babai i viktimës, Qazim Rasha për gazetarët tha se kjo nuk ishte drejtësi.

Qazim Rasha: Pavarësisht alibisë, pavarësisht ngjarjes, arriti deri aty sa viktima të marrë përgjegjësinë e kriminelit dhe krimineli u vesh me petkun e viktimës. Kjo është në 2020, është një ngjarje që ka trondit jo vetëm themelet e familjes sime, tronditi themelet e shoqërisë dhe themelet e një shteti. Kjo njollë e zezë nuk do t’i hiqet, jo mua se kam varrosur djalin se ai nuk më kthehet më se unë e kam ditur që ditën e parë, por mesazhi im që ka ardhur këtu, ka qenë një dhe vetëm një, “i imi iku, u varros, por ama fëmija im, i juaji, i të gjithëve, gjaku është i njëllojtë si i fëmijës sim, i fëmijës tënd dhje i tjetrit”. Dhe atyre gjyqtarëve e prokurorëve që morën këtë vendim. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të jetë një motivim, të shërbejë si motivim që ai gjyqtari, dhe ne si popull të kemi kujdes.

Zoti Rasha a bëri gjykata drejtësi?

Qazim Rasha: Si mund ta quash drejtësi kur çdo gjë është e qartë, çdo gjë është zbardhur, çdo gjë është e fushës dhe me një të rënë të lapsit njëherë i jep gjykim të shkurtuar, kur ai mund ta bëjë shembull. Është rast ekzemplar. Shteti mund të bëjë punën e vet. Shpresoj që kjo drejtësia e re që po ngrihet ca llumra t’i fshijë se janë akoma nëpër këmbë absolutisht as unë dhe as të tjerë nuk mund ta gjejë. Që ditën e parë kam kërkuar drejtësi, por me këtë drejtësi nuk mund ta gjejë as unë dhe askush./tvklan.al

Të Fundit