Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka replikuar në komente me një prej ndjekësit e saj, i cili e quajti atë kineze.
Bëhet fjalë për një postim të djeshëm të ambasadores Kim me këngëtaren Ermira Babaliu nga qyteti i Pogradecit në rrjetin social “Instagram”.
‘Dashuria Shqiptaro-Kineze është një histori e vjetër dhe e bukur”, shkruan komentuesi në “Instagram”.
Ndërkohë që nga ana tjetër Kim i ka kthyer përgjigje duke e ftuar për një bisedë në zyrën e ambasadës Amerikane për t’i treguar historinë krenare të vendit nga vjen dhe ai t’i tregojë pse mendon se ajo është kineze.
“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’iu tregoj për historinë krenare të vendit tim si një “Komb i Emigrantëve”, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam “kineze. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, i përgjigjet ambasadorja Kim.
Pas ftesës së ambasadores amerikane, Yuri Kim për një kafe dhe një bisedë në ambasadë, komentuesi i cili e quajti “kineze”, ka pranuar ftesën dhe e ka konsideruar vetën si njeriun më me fat në Shqipëri, pasi është i pari që merr një ftesë zyrtare nga Ambasada për një kafe.
Në komentin e tij, ai shkruan se e vlerëson këtë ftesë dhe se mezi pret të diskutojnë së bashku.
“Jam njeriu më me fat në Shqipëri! Askush nuk ka marrë një ftesë publike nga Ambasada Amerikane për një kafe dhe një bisedë të sinqertë! Unë e vlerësoj shumë ftesën tuaj zonjë, ne do të flasim për kulturat tona dhe të tjera. Zoti bekoftë Amerikën.”, shkruan komentuesi.