I kërkuar për 2 miliardë dollarë/ Mediat turke japin detaje: Si po fshihet në Shqipëri bosi i kriptomonedhës

Në kërkim për rreth 2 miliardë dollarë, turk Faruk Fatih Özer sipas mediave vendase rezulton të jetë i fshehur në Shqipëri. Madje, CNN turk ka publikuar foto teksa Özer, themeluesi i kompanisë Thodex bën “Check In” në një prej hoteleve në Tiranë.

Mediat turke shkojnë edhe më tej kur shkruajnë se ai po fshihet nga mafia shqiptare kundrejt ryshfetit.

I riu i kërkoi motrës së tij më 18 prill të gjitha dokumentet e kompanisë dhe dy ditë më vonë u arratis në Shqipëri.

Özer iku nga Turqia me këto dokumente dhe miliona dollarë para kripto që fitoi duke mashtruar 400 mijë njerëz. Sipas të dyshuarve, dëshmia e të cilëve u mor në hetim, 5 drejtuesit e ndërmarrjes që ishin në arrati ishin të vetëdijshëm se Özer do të shpëtonte.

Arratisja

Megjithëse Özer tha se u largua jashtë vendit me qëllimin për të gjetur një partner të huaj, vlerësohet se ai vendosi të arratisej pas hetimit të nisur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik Anadoll të Stambollit.

Me njoftimin e kuq të lëshuar nga autoritetet turke, CNN shkruan se Özer arriti t’i shpëtojë policisë shqiptare dhe 4 ekipeve turke të policisë falë ryshfetit. Nuk ka asnjë provë që Özer u largua nga Shqipëria, kështu që konsiderohet se ai ende fshihet në këtë vend, vijon agjencia.

Më tej thuhet se policia shqiptare kreu një hetim gjithëpërfshirës për arrestimin e Özerit, të gjithë ata që kishin kontaktuar që kur ai hyri në vend u ndoqën dhe informacioni që vinte në linjat e denoncimit u vlerësua menjëherë.

Theksohet se Özer i kushton vëmendje të mos përdorë asnjë pajisje komunikimi teknologjik dhe se ka shokë rreth tij që e udhëzojnë se ku do të shkojë dhe me kë do të takohet.

Sipas mediave turke, në fotografitë pranë hotelit, Özer shoqërohej edhe nga një person tjetër me pallto të kuqe, shtetas shqiptar, i cili e priti në aeroport dhe e çoi në hotel. Mësohej se personi me një pallto të kuqe ishte kërkuar nga policia shqiptare mes të dyshuarve.

Arrestimet në Turqi

Në hetimin e nisur më 22 prill nga Kryeprokurori Publik Anadoll, 78 nga 82 të dyshuarit, ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhër-arreste, u arrestuan.

Përpjekjet janë duke u zhvilluar për kapjen e 4 të dyshuarve të arratisur, përfshirë themeluesin dhe menaxherin e Thodex, Faruk Fatih Özer.

Për shkak të zhvleftësimit të vazhdueshëm të monedhës turke, Lira, qytetarët turq po investojnë paratë e tyre në kriptomonedha.

 

Të Fundit