Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, duke folur nga Rrajca u shpreh se partia në pushtet nuk ka blerë ndonjëherë vota.
Po ashtu Balla e krahasoi ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani, me atë të ndodhur në 21 janar.
“Të dashur motra dhe vëllezër këto zgjedhje kësaj radhe, janë zgjedhje mjaft të rëndësishme. Unë nuk e fsheh trishtimin se si kundërshtarët tanë janë të gatshëm edhe të vrasin kur bie puna e marrjes me forcë të pushtetit, ose kur duan ta mbajnë me forcë pushtetin. Sepse ajo që ndodhi në Elbasan është njëlloj si ajo që ndodhi në 21 janar. Të njëjtit autorë, e njëjta skemë, përdoren armët e ish-punonjësve të policisë që kanë ikur nga Policia e Shtetit për trafik ndërkombëtar droge apo pisllëqe të tjera dhe pa ju dridhur qerpiku mund të godasin çdo qytetar që është i krahut tjetër”, tha drejtuesi politik i PS në Elbasan.
“Ju e dini fare mirë se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk ble kurrë vota, as ka blerë, e as ka për tu përfshirë ndonjëherë. Ne e dimë shumë mirë se kush i kërkon votat në Rrajcë, është partia e fallxhores e presidentit. Në 2021 presidenti i Republikës të bëjë thirrje merrni cfurqet, merrni kazmat. Kundër kujt?! Ne duhet të nxjerrim në pah shpirtin patriotik të kësaj zone dhe prandaj sot dua të bëj apel të gjitha zemrave të Rrajcës edhe tu them, se vota që shkon për LSI është kundër Shqipërisë”, tha Balla.