Presidenti Ilir Meta ka lëshuar akuza të rënda ndaj Shkëlqim Selamit, i cili më herët ka qenë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Ka një skenar mafioz, me tentativa të fëlliqura e të poshtra, por që do marrin përgjigjen e merituar. Selam Çimka është një ordiner dhe unë nuk kam kohë të merrem me çimka dhe çimkat e çimkave”, është shprehur Meta, një natë më parë.
Sot ka ardhur edhe reagimi i Shkëlqim Selamit, i cili e ka cilësuar presidentin Ilir Meta si kandidat i LSI-së.
“Kandidati i LSI që ka 6 vjet që fle dhe zgjohet me emrin tim, më paska përmendur prapë . Ka një të mirë marrëzia e tij, duke qëndruar në Vlorë është afër spitalit dhe të paktën kemi mundësi pas 25 Prillit t’i bëjmë derman.
Selami i ka rikujtuar Presidentit Meta, kohën kur kërkonte fitore me blerje votash.
“Zoti kandidat, mua nuk më bën dot pis dhe të më përmendësh blerje votash. Se kur më thoje, sa vota arrin të blesh, të thoja që mandatin nuk e dua, po s’ma dhanë vlonjatët me vullnetin e tyre të lirë dhe për këtë jam krenar se e bëra mandatin vetëm me votat e vlonjatëve dhe me asnjë votë nga Saranda dhe ti këtë e di mirë.