- TIRANË
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar me një mesazh ngushëllimi dhe nderimi mëngjesin e sotëm, pak orë pasi zjarrfikësit nxorën nga ndërtesa në flakë trupin e pajetë të punonjësit të sigurisë.
Meta shkruan se Arjan Sala është heroi ynë dhe se me sakrificën sublime, hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.
Meta uron që mbi vetëflijimin e tij të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur dhe më reagues.
MESAZHI I PRESIDENTIT META
ARJAN SALA, HEROI YNË!
Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.
Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.
Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit.
Ngushëllimet më të ndjera familjes!
Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!