“Durrësi 24 orë ujë pa ndërprerje” Rama zbardh bisedën me Macron, ja projektet që po investon Franca në Shqipëri

FRANCË

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur një pjesë të temave të diskutuara me Presidentin e Francës Emanuel Macron gjatë takimit të tyre, të ardhur me ftesë të liderit francez.

Rama tha se marrëdhëniet bilaterale, ecuria e programit të agjencisë franceze për zhvillim, e cila është angazhuar në financimin e tre projekteve të rëndësishme, investimet e Francës në energji në Shqipëri, plani europian i investimeve për Ballkanin; situata në rajon, ecuria e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, Shengeni rajonal etj. kanë qenë disa nga temat.

“Ishte një ftesë e Presidentit, me të cilin kishim disa kohë që nuk ishim takuar dhe ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të agjencisë franceze për zhvillim, e cila është angazhuar në financimin e tre projekteve të rëndësishme, ku projekti më i rëndësishëm është investimi për finalizimin e gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar më në fund edhe për Durrësin 24 orë ujë pa ndërprerje, një angazhim që ia kërkova dhe presidenti e mori pas tërmetit. Po ashtu një financim tjetër i rëndësishëm për sistemin elektro-energjetik, si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat që është një program shumë interesant që do ta zbatojmë së bashku me agjencinë franceze të zhvillimit. Njëkohësisht folëm edhe për investimet e Francës në energji në Shqipëri, ku kompania Voltalia po investon për parkun më të madh fotovoltaik të rajonit, faktikisht në Karavasta dhe po ashtu në një apo dy projekte të tjera me rëndësi. Kemi folur për planin europian të investimeve për Ballkanin, që është tanimë një plan i investuar dhe ne jemi të angazhuar për të marrë financime për disa projekte të rëndësishme me impakt kombëtar dhe rajonal në transport, infrastrukturë, energji dhe dixhitalizim. Kemi qëndruar gjerë e gjatë në situatën në rajon, në ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit rajonal dhe për tema të tjera që kanë zënë dhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë”, deklaroi Rama.

Të Fundit