“Do të jem i hapur para drejtësisë”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha këtë të mërkurë se Shqipëria është kthyer në delen e zezë të Europës. Ai zhvilloi një konferencë për shtyp ku citoi raportin e DASH për pastrimin e parave dhe korrupsionit.
Sipas Bashës, shqipëria është kthyer në parajsë për mafian. Kreu i demokratëve premtoi se do të jetë i hapur para drejtësisë kur të vijë në pushtet. Po ashtu ai shtoi se do të arrestohet çdo zyrtar i korruptuar që vjedh shqiptarët.
“Ditën e sotme si ditën e djeshme kam qenë në mes të qytetit të Tiranës duke prekur nga afër dhimbjen, mjerimin, papunësinë, trashëgimia e qeve më të korruptuar. E keni dëgjuar nga kjo sallë, kjo gojë prej 8 vitesh këtë konstatim. Sot e keni të zezë mbi të bardhë në raportin e DASH mbi pastrimin e parasë dhe korrupsionit në botë. Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm në vitin 2020. Shkak për situatën dramatike të pastrimit të parave, të korrupsionit është vetëm një, qeveria e dështuar dhe e korruptuar e Edi Ramës. Shkak për pengesën dhe mungesën e luftimit të korrupsionit dhe pastrimit të parave është korrupsioni qeveritar. Këtë e ndjeni në kurrizin tuaj. Nuk ka nevojë të kujtoj përgjimet e antia-mafias italiane që tregoi se Shqipëria është kthyer në një parajsë edhe me Ndraghetën e cila pastron paratë me ndërtimet në Bashkinë e Tiranës. Raporti i DASH thotë qartë se investimet në pasuritë e paluajtshme janë në metodat më të përhapura të pastrimit të parave të paligjshme. Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në kohën e pandemisë vodhën me tendera sekretë paratë për ushqimin e njerëzve. Sot SPAK ka marrë të pandehur zyrtarë të rangut të dytë në ministrinë që drejtohej nga Xhaçka për akuzën që në kulmin e pandemisë, kjo qeveri bëri atë që ka bërë çdo ditë këto 8 vjet ka vjedhur dhe shpërdoruar paratë e shqiptarëve. Ky është shkaku i krizës që ka mbërthyer shtëpitë tuaja, ky është shkaku i paralizës së biznesit, sipërmarrjes. Ky është shkaku pse gjithçka ka mbetur në vendnumëro. Më 25 prill kjo do të ndryshojë. Në 25 prill vota juaj është garancia për këtë ndryshim. Në 25 prill garanti jam unë dhe qeveria që do dal nga vota juaj. Duke filluar nga unë i pari kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë e deri te zyrtari më i fundit do të jemi të hapur para drejtësisë , do ja çlirojmë drejtësisë duart për t’ia vënë prangat kujtdo zyrtari të korruptuar që vjedhë bukën e gojës së fëmijëve tuaj, që e kthen vendin në një parajsë të trafiqeve, të krimit, të paligjshmërisë, në delen e zezë të Europës siç konstatojnë raport pas raporti dhe sot raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ligji dhe zbatimi i hekurt i ligjit i pret të gjithë ata që për 8 vite kanë shkaktuar vuajtje, dhimbje, varfërim, papunësim, shpopullim. Zotohem sot para jush se akti im i parë dhe i fundit si Kryeministër do të jetë garantimi i pavarësisë së plotë të drejtësisë, me duart larg nga drejtësia, me funksionimin deri në fund të reformës në drejtësi dhe institucioneve“, tha Basha.