‘Ndihmoni Shqipërinë me vaksina’, mjekët shqiptarë në Europë letër presidentes së KE-së dhe ambasadorit Soreca

Federata e mjekeve shqiptarë në Evropë i ka dërguar një letër presidentes se Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe Ambasadorit Soreca, ku kërkon që Bashkimi Evropian të sigurojë një sasi vaksinash edhe për Shqipërinë.

Në letër thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria po bëjnë një luftë të madhe për të frenuar përhapjen e Covid-19, por kjo luftë është e vështirë të fitohet pa ndihmën e vaksinave.

“Trevat shqiptare, për shumë arsye, kanë vështirësi në gjetjen e vaksinave, tregu është i komplikuar dhe kërkesat janë të mëdha. Numri i vaksinave që kanë mbërritur në Shqipëri është i ulët dhe nuk mund të ndihmojë në ecurinë pozitive të luftës ndaj Covid-19 dhe në sigurimin e mbrojtjes së popullatës”, thuhet në letrën drejtuar Von Der Leyen dhe ambasadorit Soreca.

Federata e mjekëve shqiptarë në Evropë i kërkon presidentes së Komisionit Evropian, që të rishikojë vendimin e unionit, dhe të ndihmojë me një sasi vaksinash edhe Ballkanin Perëndimor.

“Ju lutemi të rishikoni pozicionin tuaj dhe shikoni mundësinë për të siguruar që vendet më pak të zhvilluara dhe me të ardhura të ulëta të Evropës juglindore të kenë mundësinë për të siguruar dozat e nevojshme të vaksinës kundër Covid-19 për të vaksinuar grupet prioritare në popullatat e tyre përkatëse”, thuhet në letrën e nënshkruar nga 21 mjekë shqiptarë në Evropë.

Të Fundit