Çfarë kërkuan shqiptarët në internet gjatë vitit 2020

Pavarësisht se platforma Google nuk e përfshin Shqipërinë në raportimin vjetor të trendeve të kërkimit, ajo ofron megjithatë të dhëna se për çfarë temash shqiptarët iu drejtuan internetit për t’u informuar.

Coronavirusi mban vendin e parë të kërkimeve me interes maksimal gjatë muajve mars-prill, një rënie të ndjeshme të kërkimeve gjatë muajve të verës dhe me rikthimin në krye të vëmendjes gjatë muajit nëntor.

Faqja globale e statistikave, Worldometers, e cila kryesoi informimin botëror për të dhënat e Covid-19 renditet në vendin e dytë të temave që kërkuan qytetarët nga Shqipëria. Sikurse coronavirusi, edhe kërkimet për të e patën pikun në mars.

Mësimi online është tema e tretë më e kërkuar në Google gjatë vitit 2020, specifikisht fjalët kyçe që lidhen me platformat online të mësimit si Akademi.al dhe Google Classroom. Vendi iu drejtua mësimit online gjatë pikut të pandemisë për të shmangur infektimet masive.

Parashikimi i motit qe gjithashtu në listën e kërkimeve kryesore për shqiptarët në vitin që lamë pas.

Shërbimi i përkthimit gjuhësor, Google Translate mori një pjesë të rëndësishme në kërkimet e motorit Google për përdoruesit nga Shqipëria.

Mediat sociale si Youtube, Facebook, Instagram, portalet e lajmeve dhe filmat online u renditën gjithashtu në krye të mjeteve që qytetarët përdorën në internet.

Vend të veçantë për nga trendi rritës zuri dhe platforma qeveritare e-Albania, e cila ndër të tjera po përdoret kryesisht gjatë pandemisë për sigurimin e lejeve për dalje.

Bota

Në rang global fjala coronavirus kryesoi kërkimet në Google, pasuar nga rezultatet zgjedhore, basketbollisti i ndjerë Kobe Bryant, platforma e komunikimit Zoom dhe Premier Liga Indiane e kriket.

Fituesi i zgjedhjeve në SHBA, Joe Biden është personi emrin e të cilit përdoruesit e internetit kërkuan më së shumti gjatë vitit që lamë pas, ndjekur nga lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un, kryeministri britanik Boris Johnson, zv.presidentja e zgjedhur e SHBA Kamala Harris dhe aktori Tom Hanks.

Të Fundit