DURRËS
13 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria ka vendosur të hapë aplikimet për dëmshpërblim banorët që janë dëmtuar nga tërmeti. Hapja e aplikimeve ka bërë që para prefekturës të dynden më shumë se 2 mijë banorë nga lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nuk kanë mundur dot të aplikojnë dhe të marrin dëmshpërblim pas dëmeve që kanë pësuar banesat e tyre nga tërmeti.
Banorët thonë se e kanë mësuar pothuajse rastësisht që do të hapeshin aplikimet dhe një pjesë e tyre nuk kanë arritur të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë dëmshpërblimet. Një pjesë e tyre thonë se janë emigrantë dhe për shkak të pandemisë nuk janë bërë dot pjesë e procesit.
Prefektura është rrethuar nga policia, por është e pamundur ruajtja e distancave dhe respektimi i masave anti COVID. Ka shumë ankesa nga ana e qytetarëve që thonë se aplikimi për një ditë është krejtësisht i pamundur.