Që nga 1 janari 2021 krahas mjekëve dhe infermierëve do të rriten dhe pagat e mësuesve. Megjithatë sindikatat e arsimit nuk janë të kënaqura me këtë rritje, duke e konsideruar një ofendim për mësuesit.
Mësuesit e sistemit 9-vjeçar pagën mesatare bruto e kanë 65.800 leke dhe do të bëhet 72.100 pra 6.300 lekë më shumë. Mësuesit e shkollave të mesme, aktualisht pagën bruto e kanë 68.800 leke, me rritjen 15%, paga e tyre do te shkojë 75.550 lekë, pra 6.750 lekë më shumë.
“Ky është mashtrimi i radhës i kryeministrit me mësuesit. Unë do t’i përgjigjesha me një shprehje që e përdor vetë ai, çfarë e kujtoni popullin ju budallenj. Po kryeministri çfarë i kujton mësuesit… Mësuesit janë ata që kanë mësuar Edi Ramën, Denaj dhe ne nuk i lejojmë që ata të tallen me ne”, deklaroi Nevrus Kaptelli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri.
“Kjo është rritja e dytë që vjen pas 2017 edhe pse nuk është ajo çka mësuesit presin dhe çfarë meritojnë, për vetë pozicionin që ato kanë në edukimin e brezit të ri”, thotë Flutura Dervishi, nënkryetare e Federatës së Sindikatës së Arsimit Shqiptar.
Kaptelli, tregon se është premtuar jo pak herë një rritje page për arsimtaret, por kjo gjë nuk ka ndodhur. “Në fillim të mandatit të dytë qeverisës, kryeministri Edi Rama dhe Nikolla kanë dalë dhe kanë deklaruar se do t’i rrisë pagat e mësuesve me 40 %…ai nuk mundet të mashtrojë me mësuesit, kur vetë në fillim patën premtuar se do të jepnin pagën e 13 dhe jo vetëm që pagë të 13 nuk pamë por ata hoqën dhe shpërblimin në fund të vitit që ne e kishim marrë për 7 vite rresht”, tha Kaptelli.
Ndërkohë Flutura Dervishi, nënkryetare e federatës së sindikatës së arsimit shqiptarë, tregon se deri me 1 janar do të kërkojnë një rishqyrtim të këtij vendimi. Kryesia e federatës do të mblidhet dhe do të dalë në një vendim si do të procedohet më tutje, ndoshta do të kërkojmë një dialog me Ministrinë e Arsimit, duke qenë se jemi ende në kohë, përderisa vendimi futet në fuqi më 1 janar