Detaje të reja janë bërë me dije lidhur me protestuesit dhe efektivët e plagosur gjatë protestave studentore në Tiranë por edhe në qytetet e tjera ku janë zhvilluar protesta. Mësohet se në Spitalin Universitar të Traumës 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit mes të lënduarve janë 8 policë, 10 protestues dhe 3 kalimtarë. Lidhur me të riun i cili u plagos nga policia para Ministrisë së Arsimit, bëhet me dije se 21-vjeçari është nën monitorim dhe se nuk rezulton me rrezik për paralizë ose për ndërhyrje kirurgjikale.
Në spitalin rajonal të Vlorës 3 persona kanë marrë ndihmë mjekësore. Mes tyre edhe një polic. Ndërkohë në qytetin e Lezhës është lënduar një e mitur e cila pas marrjes së ndihmës mjekësore ka dalë nga spitali.
Njoftimi i plotë:
Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin Universitar të Traumës 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në strukturat shëndetësore, nga të cilët:
* 8 efektivë të Policisë;
* 10 protestues, mes tyre 3 të mitur;
* 3 kalimtarë.
Nga personat e lënduar, dy prej tyre janë ende duke marrë shërbim. Një kalimtar (gjendja stabël) dhe një protestues, 21 vjeç, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë. Aktualisht, nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Të gjithë personat e tjerë kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Spitali rajonal Vlorë
– 1 efektiv i policisë (ka marrë trajtimin dhe ka lënë spitalin)
– 2 të mitur (kanë marrë trajtimin dhe kanë lënë spitalin)
Spitali rajonal Lezhë
– Një e mitur (ka marrë trajtim dhe ka lënë spitalin)



