BERAT
Policia e Beratit ka arrestuar një 25-vjeçare pasi akuzohet për shpërndarje droge dhe prostitucion. Sipas të dhënave zyrtare, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta heroinë, në kuadër të operacionit “Vëzhgimi”, në vendin e quajtur “Ypsiloni”, bënë të mundur arrestimin e shtetases R. D., 25 vjeçe, banuese në Berat.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të Policisë rezultoi së drejtonte mjetin pa leje drejtimi, si dhe iu gjet në xhepin e xhupit, një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, iu gjetën disa doza me lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe një qese e vogël me cannabis sativa.
Gjithashtu, nga ana e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. D., 24 vjeç, banues në Berat, i cili ndodhej së bashku me shtetasen R. D., në mjetin e saj.
Në bazë të hetimeve dyshohet se shtetasit e mësipërm ushtronin edhe veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit, në bashkëpunim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.