Flogerta Brakaj ka përfunduar në vitin 2014 shkollën e mesme “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit dhe është diplomuar në vitin 2015. Por diplomën nuk ka mundur ta marrë dhe kjo e pengon për regjistrimin në studimet master.
“Jam ish – nxënëse e shkollës “Janaq Kilica”. E kam mbaruar gjimnazin në vitin 2014. Aktualisht jam studente e vitit të tretë në universitet. Gjatë kësaj periudhe nuk jam pajisur me diplomë. Kur shkova të regjistrohesha në universitet ishte sistemi online, por tani unë tani jam në vitin e tretë dhe më duhet kartoni i diplomës së gjimnazit sepse pa të nuk mund të aplikoj për master”, u shpreh Flogerta.
Flogerta dhe gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtuan këtij gjimnazi, por nuk mundën ta zgjidhin problemin as tek sekretarja e as te drejtoresha, pasi sekretarja e atëhershme është me leje lindje.
Gazetarja – Ish – nxënëse e shkollës, gjimnazit “Janaq Kilica”, e cila ka mbaruar që në 2014-ën shkollën, por nuk është pajisur me kartonin e diplomës. Kur ke ardhur këtu Flogerta herën e fundit?
Ish – nxënësja – Para dy muajsh… më tha(sekretarja) që do më marrësh në telefon sepse jam e re dhe nuk e di problemin tuaj.
Gazetarja – Pse nuk i keni kthyer një përgjigjie gjatë kësaj kohe?
Sekretarja – Po unë nuk e di. Nuk e di sepse nuk jam unë përgjegjësja për kartonin e gocës.
Gazetarja – Po dakord pra dakord, po a jeni juve këtu që e zëvendësoni (ish sekretaren) që nga Janari?
Sekretarja – Po unë, nuk…(ikën)
Drejtoresha – Problemi jot është që ti nuk je diplomuar… nuk ke marrë diplomën?
Ish – nxënësja – Jo, nuk e kam marrë!
Drejtoresha – Ok! Në mungesë të sekretares që unë nuk e kam, ka kohë që ka ikur… po më jepni kohën e duhur të shikoj si është problemi. Të njihem më mirë me problemin tuaj dhe ju kthej përgjigjie. Unë nuk është se nuk kam zgjidhur ndonjëherë problem.
Ish – nxënësja – Unë kam 3 vjet që vij dhe nuk kam gjetur zgjidhje!
Drejtoresha – S’ka problem! Nuk e di 3 vjet…
Ish – nxënësja – Do më jepni një zgjidhje apo të drejtohem diku tjetër? Nuk më dhanë asnjë zgjidhje.
Drejtoresha – Tek unë nuk keni ardhur, këtë gjë. Nuk mbaj përgjegjësi çfarë mund të kesh thënë nëpër zyra të tjera. Tani unë do të merrem me problemin tënd. Të shikoj si është problemi dhe flasim!
Pas verifikimit të situatës, drejtoresha Evis Sema u shpreh se faji është i sekretares që nuk ia ka transmetuar rastin e mosprintimit të diplomës së Flogerta Brakaj nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Ndaj tani i ka nisur Drejtorisë Arsimore të Fierit një kërkesë për printimin e diplomës së prapambetur të ish – nxënëses nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Ndaj dhe Flogerta dhe gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtuan DAR Fier, ku komunikuan me specialistin Florenc Gjata. Ai tha se për vitin 2015 shkolla “Janaq Kilica” ka dërguar shkresë se të gjithë nxënësit janë pajisur me diplomë.
“Kështu që në momentin që kur shkruan që nuk ka asnjë kërkesë nga shkolla drejtuar DAR që kemi një ish – maturante të pa pajisur me diplomë, ne nuk kemi si t’ja përcjellim AKP-së një kërkesë për diplomë”.
Specialisti i DAR Fier premtoi se Flogerta Brakaj do të pajiset në pak ditë me një diplomë ose dokument ekuivalent që e lejon të regjistrohet në studimet master.
Malësi e Madhe, spitali katandiset në urgjencë, mungojnë mjekët.
Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt Malësisë së Madhe, aty ku 55 mijë banorët e zonës vuajnë mungesën e theksuar të mjekëve në spital.
Pavioni i maternitetit prej më shumë se 3 vitesh nuk është në shërbim të pacientëve, duke u kthyer në këtë mënyrë në një magazinë.
Drejtori i spitalit, Flladjan Hysa tha se ky institucion shëndetësor funksionon më shumë si urgjencë për shkak të mungesës së mjekëve specialistë.
“Ne jemi shërbimi spitalor Malësia e Madhe. Shërben më shumë si shërbim urgjence sepse s’kemi mjekë specialistë. Vijnë për mjekime ditore. Për raste që në nuk i ofrojmë shërbimin e duhur transportohen në Spitalin Rajonal, por ne kemi mungesë mjekësh, infermierësh, si dhe materniteti nuk është funksional për shkak se prej vitesh ka rënë numri i lindjeve”, u shpreh kreu i spitalit të Malësisë së Madhe.
Ai shtoi se në turn gjenden vetëm dy infermjerë dhe një mjek i përgjithshëm që bën mjekun roje, duke bërë maksimumin e tyre.
“Kemi kontakte të vazhdueshme me ministrinë dhe shpresoj, i kemi fjalët e mira për një investim këtu”, e përmbylli drejtori Hysa.
Papërr-Elbasan, historia e trishtë e dy familjeve në nevojë.
Mësuesja nga Elbasani Danjela Saliaj, ka vënë në dijeni emisionin “Stop” për dy familje në kushte mbijetese në fshatin Pajun, Papërr.Familja e Petrit Vrapit jeton në tualetin e shtëpisë, pasi pjesa tjetër është gati duke u shembur, për shkak të reshjeve të dendura të vitit 2015. Familja jeton me 300 mijë lekë të vjetra, që merr djali dhe nusja e tij në formë kempi, pasi janë diagnostikuar me sëmundje mendore.Po kështu familja e Gazmend Celës përbëhet nga 5 persona dhe jeton me 50 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike.Gazetarja e Stop” dërgoi në të dyja familjet një sasi të konsiderueshme ushqimet nga Big Market dhe nga 300 mijë lekë dhuratë nga djali nga Durrësi.