Mimoza Poveshi nga Rrësheni tregon në emisionin “Stop” historinë e saj të vështirë të mbijetesës.
Ajo është nënë e vetme me 3 fëmijë, njëri prej të cilëve është i sëmurë me leuçemi. Nuk ka asnjë të ardhur, ndaj shpesh është detyruar të shkojë në Kosovë për punë të përkohshme, duke ua lënë fëmijët fqinjëve për t’u kujdesur.
Gazetarja e emisionit “Stop” bashkë me “Fundjavën ndryshe” e ndihmojnë së pari me ushqime dhe më pas nisen drejt Bashkisë së Mirditës për zgjidhje të përhershme.
Pas përjekjeve të gazetares, Marte Kola, përgjegjëse e Shërbimit Social Mirditë premton pagesën e bonusit të qirasë, futjen te skema e ndihmës ekonomike dhe mundësinë e punësimit si sanitare në kopësht apo çerdhe.
“Unë quhem Mimoza Poveshi. Jam nga qyteti i Rrëshenit, Mirditë. Jam shumë e varfër, kam 3 fëmijë të vegjël, që unë kam marrë rrugën të ikja në Kosovë për… për vështirësitë e mia ekonomike. Ju lutem, më ndihmoni “Stop”-i!”, u shpreh Mimoza nëpërmjet një mesazhi zanor pranë redaksisë së emisionit “Stop”.
Gjatë bisedës në telefon me gazetaren, ajo tha: “Përshëndetje, Odeta! Unë quhem Mimoza Poveshi, jam nga qyteti i Rrëshenit. Kam ikur në Kosovë për ekonomi familjare, që nuk kam me çfarë t’i ushqej fëmijët. Fëmijët i kam lënë vetëm në shtëpi, të blej dhe ilaçet e djalit që e kam shumë të sëmurë. “Stop”-i jeni zgjidhja e vetme. Ju lutem, hajdeni sa më shpejt! Urgjent këtu të shikoni familjen time, 3 fëmijët e mi! Ju lutem “Stop”-i, hajdeni urgjent në familjen time! Jeni mundësia e vetme, që kam unë”.
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Rrëshenit për të shfaqur kushtet e mjerueshme, në të cilët jeton familja Poveshi.
Mimoza rrëfeu se i biri është me leuçemi, ndaj dhe duhet ta vizitojë çdo javë në spitalin e Tiranës, si dhe se nuk i përballon dot ilaçet çdo muaj, të cilat kushtojnë 55 mijë lekë të vjetra.
Ajo gjithashtu tha se trajtohej me 47 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, por tanimë e kanë hequr nga skema dhe i duhet të paguajë edhe qeranë e shtëpisë, që është 50 mijë lekë të vjetra.
“Të jem e sinqertë unë kam marrë rrugën e kam ikur në Kosovë që të punoja. Kam punuar kamariere, paguhesha 10 euro. Kam punuar 18 orë që të siguroja më shumë para për fëmijët. Fëmijët ia kam lënë komshinjve, shoqeve të mia dhe janë kujdesur ata. Kush është ajo nënë që dëshiron të ikë dhe t’i lejë fëmijët vetëm?”
“Fundjavë ndryshe” i siguroi familjes Poveshi disa ushqime dhe veshmbathje deri në zgjidhjen e problemit të tyre.
Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me Mimozën iu drejtuan Bashkisë Mirditë për t’u interesuar për ndihmën ekonomike që i është hequr, si dhe për një mundësi punësimi.
Roja – Kryetari i Bashkisë, nuk është këtu.
Gazetarja – Njoftoje pra zotëri se unë kam ardhur nga Tirana, s’mund të rri me këtë përgjigjen tënde!
Roja – Nuk e njoftoj unë kryetarin e bashkisë, të lutem!
Gazetarja – Mund ta vini pak në dijeni kryetarin? Jam gazetarja e emisionit “Stop”, të lutem!
Gazetarja – Pse e mbyll derën ti? Ky është institucion për qytetarët.
Roja – E mbyll derën se unë jam këtu…
Gazetarja – Po vëre mo në dijeni që të më presi, o njeri, se kam ardhur nga Tirana, e merr vesh? Nuk kam ardhur të luaj me ty këtu.
Gazetarja – Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit, të lutem, hapni derën! Punonjësit, nënkryetari… zoti Ndrec, të lutem hap pak derën, jam këtu me një qytetare, e cila është kryefamiljare. Ka 3 fëmijë, është e papunë. Të lutem, të lutem!
Roja – Mos bëj diskutime të kota!…
Gazetarja – Po boll, mo tashi, boll…ou…
Roja – Mos bëj diskutime të kota!…
Gazetarja – Po lermë tashi, mos më prek me dorë. Mos më prek me dorë, mos më prek me dorë. Nuk lëviz! Sill policinë!
Punonjësja – Një minutë, një minutë…
Gazetarja – Sill mo Policinë!
Gazetarja – Të lutem, fute kolegun!
Punonjësja – Jo, jo, jo…
Gazetarja – Fute kolegun!
Punonjësja – Jo! Do vazhdosh ti, tako kryetarin!
Gazetarja – Duhet të sillte një informacion këtu brenda, që aty ka ardhur një media përjashtë, jo të më thotë mua : “Ik, mi ti përjashta!” Neni 4, kam të drejtën e informimit.
Punonjësja – Po, po… por kryetari nuk është këtu!
Gazetarja – Po, pra shumë bukur…nënkryetari, Burimet Njerëzore, Shërbimi Social, Ndërrmarrja e Shërbimeve Publike.
Kam një kryefamiljare aty jashtë që ka 3 fëmijë, është e papunë. Ta sistemoni në një punë! Unë erdha thjesht për të biseduar, s’kam asnjë qëllim negativ në institucionin tuaj.
Vetëm tek Bashkia juaj ndodh kjo, që s’priten gazetarët as për informacion.
Ka një Zyrë Informacioni. Ku e keni Zyrën e Informacionit? Nuk po kërkoj direkt kryetarin, por vartësit e atij. Këtu Bashkia nuk është vetëm! Ka një Zyrë Informacioni, ka një zëdhënës, ka një nënkryetar në mungesë të kryetarit, ka një Shërbim Social, janë Burimet Njerëzore, që unë kisha drejtëpërdrejt punë me të, Ndërrmarrja e Shërbimeve Publike (pastrim-gjelbërimi).
Do t’ia bësh një telefon Kryetarit, ta vësh në dijeni për këtë ardhjen time sot?
Punonjësi – Ça t’i them Kryetarit?
Gazetarja – Ka ardhur një gazetare dhe do bashkëpunimin tënd të sistemojë një hallexhie.
Punonjësi – Unë nuk mund të shkoj të diktoj kryetarin tani!
Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh në Bashkinë Mirditë nuk ndodhej as kryetari e as nënkryetari për të dhënë një përgjigje, por vetëm punonjës që nuk ndërmorrën as ta njoftonin Ndrec Dedën, kryetarin e Bashkisë. Pas shumë kohësh pritje nga stafi i emisionit “Stop”, kryetari Deda telefonoi…
Gazetarja – Përshëndetje kryetar, si jeni? Odeta jam!
Kryetari i Bashkisë – Përshëndetje Odeta! Si dukesh?
Gazetarja – Unë do kisha shumë dëshirë t’ju takoja sepse kam një rast që kërkoj bashkëpunimin tuaj. Bëhet fjalë për një zonjë, e cila ka 3 fëmijë nga mosha 6, 9 dhe 14 vjeç. Djali 14 vjeç është i sëmurë me leuçemi. Është shumë keq nga ana ekonomike dhe nuk e ndjek dot djalin. Ka ardhur tek “Stop”-i, me idenë që ne si media, si emision të ndërhyjmë…
Kryetari i Bashkisë – Si.. si quhet? Si quhet zonja? Si e ka emrin?
Gazetarja – Mimoza Poveshi.
Kryetari i Bashkisë – Do mundohemi të bëjmë të pamundurën që t’i gjejmë një punë! Duhet të flasim nga afër që të sqaroj më mirë. Se kështu nga telefoni nuk…
Gazetarja – Dakord! Të lutem, sepse unë tani duhet të nisem edhe për Tiranë, a e kupton o kryetar?
Kryetari i Bashkisë – Je në Rrëshen ti?
Gazetarja – Unë jam tek bashkia jote, more zotëri! Unë jam këtu në Bashkinë tate..
Kryetari i Bashkisë – Po unë sa kam dalë nga Bashkia, s’kam as 5 minuta që dola nga Bashkia.
Gazetarja – Nuk ka problem! Vetëm autorizo dikë që ta sistemojë diku!
Kryetari i Bashkisë – Dhe një sekondë tani…Mirë, mirë se do të…
Gazetarja – Cfarë të bëj unë?
Kryetari i Bashkisë – Do të jap numrin e drejtoreshës së Shërbimit Social që të sqarojë për të gjitha.
Gazetarja komunikoi me përfaqësuesen e Shërbimit Social në Bashkinë e Mirditës, Marte Kola për t’i gjetur një zgjidhje familjes Poveshi.
“Bashkia Mirditë dhe Sektori i Ndihmës Ekonomike e njohin rastin dhe sipas informacioneve që ne kemi patur dhe monitoruar, ka lënë shpesh herë fëmijët vetëm dhe në kujdesin e komshinjve për të siguruar të ardhura për fëmijët. Bashkia ka marrë një vendim për ta trajtuar me një bonus qeraje prej 10 mijë lekësh në muaj për 12 muaj. Punësimi është edhe porosia dhe premtimi i kryetarit, që në momentin që do të krijohet një mundësi për vend pune, pastruese diku në një institucion, çerdhe a kopësht. Për ndihmën ekonomike do ta fus te rastet e veçanta dhe do t’i jap dhe ndihmën ekonomike”.
Pas interesimit të emisionit “Stop”, Mimoza përfitoi bonusin e qerasë, ndihmën ekonomike, si dhe mundësi punësimi, në mënyrë që të mos largohet më dhe t’i lejë fëmijët vetëm.