Skandali i tenderit të lavanterisë dhe kërcënimi ndaj gazetarit.
Pak kohë më parë, emisioni “STOP” transmetoi problematikën që shoqëroi tenderin për lavanterinë në Spitalin e Durrësit dhe pikat e errëta të aferës 1 milionë e gjysmë euro.
Së fundmi, për këtë problem të ngritur në emisionin “STOP”, ka shkruar një artikull të plotë edhe gazeta e Sicilisë për shkak se fituesi i tenderit në Durrës është një kompani palermitane, e drejtuar nga Giovanni Albanese.
Por një nga ortakët e tij, Fatos Deliu ka kërcënuar gazetarin e emisionit, për shkak të detyrës dhe rasti ka përfunduar me një denoncim në polici.
Emisioni “STOP” i rikthehet tenderit problematik të lavanterisë në spitalin e Durrësit, që parashikon shpenzimin e 1.5 milionë euro në 3 vjet.
Ky spital në fillim të vitit 2017 ka kërkuar shërbimin e lavanterisë, pra një kompani private që merret me pastrimin e ndërresave të shtretërve, uniformave të mjekëve dhe infermierëve. Tenderimi u bë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, ku morën pjesë 5 operatorë.
Më datë 26 Qershor 2017 u përzgjodh operatori fitues, kompania “Sanitary Cleaning”, e cila përbëhet nga 3 kompani. Shoqëria italiane “A.G.LAUNDRI” SRL mori përsipër të kryejë 60 % të shërbimeve, subjekti “MIMOZA DELIU”, si person fizik, 30% dhe “Sanitary Cleaning” ndërmori 10%.
Por emisioni “STOP” provoi që dokumentet nuk janë dorëzuar në bazë të ligjit të tenderit, pasi shumica e tyre nuk janë origjinale, por fotokopje.
Subjekti “MIMOZA DELIU” nuk ka kapacitetin e duhur për të zhvilluar shërbimin e lavanterisë, gjithashtu ka probleme në dokumentacionin që ka dorëzuar në OSHEE dhe faturat tatimore. Ndërsa “Sanitary Cleaning” nuk ka dorëzuar kontratën origjinale të qerasë, por një fotokopje të saj.
Prokura e Xhovana Leonardit nga shoqëria “A.G.LAUNDRI” SRL është totalisht në shkelje, pasi procedura është bërë më 24 Qershor 2017, ndërsa pajisja me vulë apostile është bërë më 26 Qershor 2017.
Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua noteres Rovena Jakova, e cila ka noterizuar dokumentin pa vulë apostile.
Gazetari – Ka pasur një prokurë, që e ka bërë në datën 23 vulën apostile. Vulën apostile e ka marrë në datën 26. Lejohet kjo në ligjin e noterisë që të bëhet një dokument që mund të merret parasysh i palegjitimuar, pa vulë apostile?
Noterja – Jo! Prokurën unë e kam pasur origjinale. Origjinale sepse erdhi vetë zotëria, italiani ka firmosur.
Gazetari – Po ja! Këtu thotë: e ka marrë në datën 26 vulën apostile.
Noterja – Vulën apostile, mund t’ia ketë vënë ajo më mbrapa…
Gazetari – Dëgjo! Pa vulë apostile, s’të pi ujë dokumenti origjinal.
Noterja – Po normal se është për legalizim. Bëhet me vulë apostile që të jetë në një institucion, e kupton?
Gazetari – Unë me Mimozën u konsultova dhe më tha që ne nuk mund t’i bëjmë pa vulë apostile.
“Çdo noter e ka shumë të qartë se edhe Italia është një vend aderues i kësaj konvente, që për të përdorur një dokument të bërë në një shtet të huaj duhet të ketë vulë apostile. Pa këtë vulë kuptohet që nuk duhet të kryhen veprime!”, u shpreh pak kohë më parë për emisionin “STOP” zv. presidenti i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Lacej.
Gazeta e Siçilisë ka përmendur skandalin e lavanterisë, duke shkruajtur në titullin e saj: “Parregullsi në shërbimin e lavanterisë. Kompania palermitane nën akuzë në Durrës”.
Ankesa e tre kompanive kundër Giovanni Albanese është një rast mediatik prej një muaji në Shqipëri. Kompanitë kundërshtare kërkojnë ndërhyrjen e Prokurorisë palermitane për një dokument të parregullt të “A.G.LAUNDRI” SRL, me të cilin mori pjesë në tënderin me vlerë 1.5 milionë euro, për shërbimin e lavanterisë në spitalin e Durrësit.
Këto kompani e kanë çuar çështjen në Gjykatën Administrative Tiranë dhe në Komisionin e Prokurimit Publik, duke bërë apel për drejtësi dhe ndërhyrje te prokurori i Palermos.
Pas transmetimit të skandalit nga emisioni “STOP”, pronari i një prej lavanterive të përfshira në këtë çështje, Fatos Deliu ka kërkuar takim me gazetarin Genci Angjellari, duke u shtirur si postier dhe më pas e ka ofenduar dhe kërcënuar.
Fatos Deliu – Tani, ju po bëni gazetar apo mercenar?
Gazetari – Mercenar … ?! S’e kuptoj fjalën mercenar …
Fatos Deliu – Mercenar do të thotë, që është ai b…q, që të pagun me i prish punë të tjerëve.
Gazetari – Çfarë punë të kam prishur? Në lidhje me …?
Fatos Deliu – Shiko! Zbrit nga makina, po të them! Ai po regjistron, tjetri po fotografon.
Gazetari – Po çfarë rëndësie ka regjistrimi? Ju jeni postieri?
Fatos Deliu – Hajde një sekondë! Hajde o, ç’ke? Një sekondë! Po unë jam postieri. Kaq ishte mesazhi im! Nëqoftëse bën mercenarin është keq se me mercenar e pëson.
Gazetari – Për çfarë e ke mercenarin ti?
Fatos Deliu – Më ke shkelur në kallo pra.
Gazetari – Ku kam shkelur?
Fatos Deliu – Vazhdon e tepron. Familjen ma ke shkatërru …
Gazetari – Kë familje mo?
Fatos Deliu – Nëna ime dhe baba im kanë pësu shumë probleme nga mënyra sesi ti i ke trajtu gjërat.
Gazetari – Kë? Kë? Ma thuaj emrin!
Fatos Deliu – Prit pra..! Ta them unë, tani! Nëna jote ka probleme me zemrën. Po të bëja unë të njëjtën gjë, që ke ti probleme me nënën tënde, ty të ngel në dorë. Po më ngeli e imja në dorë, ato mercenarët që të kanë dhënë lekët ty, që q… në b… poshtë e përpjetë nëpër Durrës, duhet ta kesh problem me ta.
Gazetari – Lekët, më kanë dhënë mua? Për lavanterinë e ke hallin?
Fatos Deliu – Tani, edhe një herë po të them, ia bëj edhe këtij shokut, se ky e paska qejf një foto. Kemi një problem të madh ne bashkë.
Gazetari – Me mua?
Fatos Deliu – Edhe një herë po të them!
Gazetari – Shiko tani! Do më dëgjosh mua 2 sekonda, që të kuptohemi.
Në radhë të parë, unë nuk q… rrugëve, lart e poshtë.
Në radhë të dytë, unë nuk marr lekë asgjëkund sepse paguhem për këtë punë.
Në radhë të tretë, unë jam një gazetar vëlla, që marr problematikat dhe e ndjek dhe nëqoftëse nuk e ndjek nuk marr rrogën dhe nuk ushqej atë fëmijën apo çfarë kam në shtëpi. Tani, ti po të kesh ndonjë problem, ka drejtues dhe njerëz të tjerë.
Fatos Deliu – Dil, pra! Dil, të flasim njëherë, të flasim, ta sqarojmë!
Gazetari – Si?
Fatos Deliu – Kush është drejtuesi?
Gazetari – Drejtuesi është Saimir Kodra.
Fatos Deliu – Saimir Kodra është?
Gazetari – Po!
Fatos Deliu – Saimirit, thuaj: ata çunat kanë 3 fëmijë, ti ke 1. Të ketë jetë i joti, të ketë jetën timi. Unë po ushqej të mitë, ai të ushqejë të vetin, pa i hy në hak tjetrit. Tani, pa më hyrë në hak mu…
Gazetari – Unë s’po të hyj fare në hak.
Fatos Deliu – Nëna jote është me zemër, nëna ime është me zemër.
Gazetari – Jo! S’është fare me zemër nëna ime.
Fatos Deliu – Atë që ka. Ju nuk e bëni punën e juaj në rregull, edhe ju nga ato që ju kanë pagu lekët do keni problem. Një që blehet …
Gazetari – S’kam fare lidhje me këtë unë zotëri.
Fatos Deliu – Kisha detyrim me të thënë dy fjalë unë.
Gazetari – Faleminderit shumë.
Gazetari Genc Angjellari iu drejtua Drejtorisë së Policisë Tiranë për të denoncuar pronarin e lavanterisë, i cili kërcënoi atë dhe drejtuesin e emisionit “STOP”, Saimir Kodrën, për shkak të skandalit të transmetuar për tenderin e shërbimit të lavanterisë në spitalin e Durrësit.
Kallëzimi i veprës penale u krye sot, më datë 02.11.2017, prej gazetarit, duke shpjeguar gjithë ndodhinë.
Abuzimet e ZA Gramsh, zhduket raporti i inspektimit në Ministrinë e Arsimit.
Në muajin prill “Stop” transmetoi abuzimet, në Zyrën Arsimore të Gramshit,pas të cilave, Ministria e Arsimit ngriti një grup inspektimi me në krye sekretarin e përgjithshëm Plarent Ndreca.Pasi nuk morëm përgjigje për rastin, gazetari i “Stop” iu drejtua sërish Ministrisë së arsimit, kur në detyrë ishte ministrja teknike Mirela Karabina. Ajo tha në një intervistë, se raporti për ZA Gramsh ishte zhdukur.Drejtori i ZA Xhevit Dyrmishi, thotë, se raporti është zhdukur për shkak se shkeljet janë bërë nga kryetarja e bashkisë Luljeta Dollani.Në tetor rikthehemi në Gramsh, pasi mësuesja e matematikës Alma Jonuzi denoncon, se është hequr nga puna pa të drejtë dhe është zëvendësuar nga një mësues me shkollë të mesme pedagogjike.
ZA Gramsh pas ryshfetit: tërhiq denoncimin nga Stop, të punësohesh!
Pasi “Stop” rikthehet në ZA Gramsh, për rastin e denoncimit të mësueses Alma Jonuzi, gjithë kjo strukturë vihet në lëvizje.Alma telefonohet nga Ramazan Llaha, punojës i ZA-së, i cili i kërkon të tërheqë denoncimin në këmbim të një vendi pune të garantuar.Më pas Alma takon në kafe Ramazanin dhe financieren e ZA Flutura Sinani dhe i kujton kësaj të fundit, se para një viti i ka dhënë 500 mijë lekë ajo dhe një milionë lekë i ati.Në një tjetër takim, që Alma Jonuzi bën me kryetaren e bashkisë Luljeta Dollani, kjo e fundit pranon, se e ka mbrojtur ajo Zyrën arsimore, por thotë, se nuk kishte dijeni për ryshfetet, që ata marrin.Pasi kryebashkiakja Dollani premton zgjidhje, Alma Jonuzi emërohet mësuese matematike në Porocan.