78-vjeçari s’paguan faturën dhe kërcënon punonjësen e Ujësjellësit, i gjendet armë…

Përveçse nuk ka pranuar të paguajë detyrimet financiare për konsumimin e ujit, një i moshuar në Mat ka kanosur punonjësen e Ujësjellësit.

Sipas policisë, 78-vjeçari po procedohet penalisht ndërsa në banesën e tij i janë gjetur e sekuestruar një armë gjahu dhe 320 fishekë.

“78-vjeçarit i gjenden dhe sekuestrohen në banesë 1 armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen “Pjetër Budi”, në qytetin e Burrelit mes një banori të kësaj lagjeje dhe punonjëses së  ujësjellësit,  kanë organizuar menjëherë punën, për parandalimin e përshkallëzimt të konfliktit.    

 Si rezultat i vlerësimit të situatës dhe ndërhyrjes së menjëherëshme,  u kap dhe u shoqërua në Komisariat shtetasi S.M., 78 vjeç, banues në Burrel, për të cilin prokurori vendosi procedim në gjendje të lirë. Ky shtetas nuk ka pranuar të paguaj financiarisht detyrimet mbi konsumimin e ujit në banesën e tij, duke u  konfliktuar dhe  kanosur shtetasen S.F., me detyrë faturiste pranë degës së Ujësjellës Kanalizimeve në Mat.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë,  kanë dhe sekuestruar  1 armë gjahu dhe 320 copë fishek.    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.

Të Fundit