700 persona diagnostikohen me kancer të mushkërive në një vitë

Rreth 700 raste të reja në vit evidentohen me kancer të mushkërive në vendin tonë, kryesisht në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas drejtoreshës së këtij spitali, Silvana Bala më shpesh preken moshat mbi 50-vjeçare, por nuk mungojnë edhe të rinjtë

“Rastet që diagnostikohen janë të evidentuara, janë të pasyruara në një databazë të cilën e disponon Instituti i Shëndetit Publik pasi puna jonë koordinohet midis spitalit që bën diagnozën dhe Institutit të Shëndetit Publik. Këto janë raste me një moshë mbi 50 vjeç. Pra që të shfaqet një kancer pulmonar duhet patjetër nëse është faktori duhan të ketë kaluar një 15-20 vjet që të ketë konsumuar duhan. Nëse është një faktor genetik kemi edhe rastet me moshat e reja dhe që nuk janë të pakta për tu diagnostikuar në spitalin tonë.”

Pneumologia shprehet se edhe stadi në të cilin paraqitet pacienti në spital mbetet i rëndësishëm për trajtimin dhe mbijetesën nga kjo sëmundje e rëndë.

“Fati i pacientit gjithmonë lidhet me kohën kur ai paraqitet tek mjeku. Stop duhanit! Është duhani shkaktari kryesor i cili sjell kancerin e mushkërive. Konsumi i duhanit tek gratë është rritur, por burrat normalisht kanë një trend më të lartë të konsumit të duhanit dhe pikërisht ky është përcaktuar si një nga kancerat më probabil në seksin mashkull.”

Megjithatë përveç duhanit, edhe personat që punojnë në industri apo fasoneri me kimikate të ndryshme mbeten të rrezikuar.

“Industria, kimike, industria metalurgjike, industria e këpucëve që përdorin polietilenin, pra të gjitha ato gaze dhe grimca toksike që futen në rrugët e mushkërive dhe që dëmtojnë mushkërinë. Impakti i ndotjes së jashtëm reflektohet menjëherë në patologjitë pulmonare.”

Duke marr shkas nga shtimi i rasteve me kancerin e mushkërive, specialistë të shumtë nga Spitali “Shefqet Ndroqi” organizuan një simpozium për sensibilizimin e popullatës që të parandalojnë në kohë këtë problem që mund të jetë edhe fatal.

Të Fundit