Menjëherë pas denoncimit të transmetuar në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan, Drejtoria e Policisë së Beratit ka pezulluar nga detyra OPGJ-në, Ledion Ferzaj.
“Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e sotme, në emisionin investigativ “Stop”, ku në pamje filmike shfaqet specialisti për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, Nënkomisar Ledion Ferzaj, duke i marrë një shumë parash një shtetasi, ju sqarojmë se: Menjëherë pas publikimit të pamjeve, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra, të specialistit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, shtetasit Ledion Ferzaj”, njoftoi policia.
Mësohet se Drejtoria Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj Ferzajt. Po ashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal për rastin.
(Rasti i publikuar në “Stop”)
OPGJ-ja Ledion Ferzaj shantazhonte me hetimin e një ngjarjeje një qytetar nga Berati. Ai kërkoi nga ky qytetar 400 Euro për ta mbyllur çështjen edhe tek prokurori.
Gjithçka është filmuar nga kamera e fshehtë e “Stop” teksa nënkomisari i policisë merr shumën e parave. Po ashtu ai dëgjohet t’i thotë qytetarit të bëjë kujdes kur i dorëzon paratë.