31 maj, Dita Botërore pa Duhan

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën botërore pa duhan.

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.

Kjo ditë është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat synonin rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe inkurajimin e reduktimit të prodhimit dhe përdorimit të duhanit.

Nën temën “Zotohu dhe lëre”, fushata e sivjetme e OBSH-së për Ditën botërore pa duhan përqendrohet në sigurimin e mjeteve dhe burimeve të nevojshme për personat që duan ta lënë duhanin, në mënyrë që ata të kenë sukses në përpjekjen e tyre.

Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jo-ngjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.

Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.

Në nivel botëror, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhan-pirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivel prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente.

Në mbarë botën, përdorimi i duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, nga të cilat rreth 900 mijë janë joduhanpirës që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit.

Të Fundit