Vuçiç: Kosova të tërheqë trupat ose do marrim masa

Pas vendimit për reciprocitetin e targave, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saj të cilat i cilësoi si “të këqija” ose në të kundërtën, Serbia do të ndërmarrë masa.

“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, tha Vuçiç pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Pavarësisht se paralajmëroi masa, ai tha se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të “sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.

Vuçiç tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo.

“Në muajin e ardhshëm, ne do të kërkojmë një përgjigje dhe heshtja e mundshme do të jetë një shenjë e qartë për ne se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan që ajo të pranohet”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se këtë mëngjes ka biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore për një kompromisi për zgjidhjen e situatës.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë”, tha Vuçiç.

Sot është dita e dytë ku Qeveria e Kosovës vazhdon me zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targat të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.

Edhe pse Kurti u shpreh se një veprim i tillë nuk ka për qëllim të krijojë destabilitet, që prej ditës së djeshme, qytetarë serbë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Të Fundit