VIDEO/ “Rrezik për aksidente”, 35 shoferë të arrestuar, mbi 3 mijë gjoba

Vijojnë në të gjitha rrugët e vendit, kontrollet nga Policia Rrugore, me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Si rezultat i kontrolleve të Policisë Rrugore dhe Patrullave të Forcave të Posaçme “Shqiponja”, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 35 drejtues mjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 17 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Autoritetet bëjnë me dije se janë pezulluar 119 leje drejtimi, nga këto 52 për shpejtësi tej normave të lejuara, 62 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu janë ndëshkuar me gjobë 3456 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Sakaq, policia bën me dije se efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Kont Leopold Bertold”, kanë ndaluar një drejtues mjeti që vazhdonte lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi F. H., 31 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 5000 lekë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.

Gjithashtu në rrugën interurbane Thumanë-Laç, policia ka pikasur një automjet tip “Land Rover”, që qarkullonte me shpejtësi 194 km/h. Drejtuesi i mjetit, shtetasi F. T. nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas është arrestuar në hyrje të qytetit të Burrelit. Drejtuesi i automjetit është ndëshkuar me gjobë 24.000 lekë të rinj, pezullim të lejes së drejtimit për 1 vit dhe zbritje 13 pikë nga leja e drejtimit.

Të Fundit