Takimi me Vjosa Osmanin, Basha: Kuvendi i ri do të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb

Mëngjesin e sotëm kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi në një takim në selinë blu me ushtruesen e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit që zgjati më shumë se një orë, Basha bëri premtimin se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.

“Shkurtimisht dua të ndalen në tre prej tyre. Së pari, domosdoshmërinë për një qëndrim të unifikuar midis Tiranës dhe Prishtinës në arenën ndërkombëtare sa i përket gjithçkaje që lidhet me Kosovën. Dua të përsëris zotimin tim se pas 25 prillit do të ketë një kthesë rrënjësore, një ndryshim rrënjësor të qasjes të Tiranës në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve së Kosovës dhe Shqipërisë në rrafsh të parë. Duke zhbërë atë që faktikisht Komisioni Europian ka konstatuar, një rënie të bashkëpunimit midis Tiranës dhe Prishtinës, ç’ka është e papranueshme për PD. Në themel të ekzistencës tonë ka qëndruar çështja kombëtare. Jam krenar që personalisht dhe si pjesë e PD-së që kemi bërë gjithçka për pavarësimin e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare dhe jam i brengosur nga fakti që në një kohë të vështirë për Kosovën, Prishtina zyrtare, institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës nuk kanë mbështetjen që mund të ketë nga Shqipëria. Zotohem se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë, me vonesë, rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë dhe në kuadër të veçantë që do të obligojë të gjitha institucionet shqiptare që të jenë në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së theksoi më tej se mbështet fuqimisht dialogun Serbi-Kosovë për njohjen finale.

Të Fundit