STOP – EMISIONI 50 (SEZONI 2) – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 50 (SEZONI 2)

Kucovë, të papunët në pritje të ditës së mërkurë.
Çdo të mërkurë të papunët në qytetin e Kuçovës mblidhen para bashkisë, pasi kryetari i saj Selfo Kapllani ka ditën e pritjes me popullin. Ata thonë, së janë dëshpërimisht në kërkim të një mundësie jetese. Ata ankohen në emisionin “Stop” se presin me orë të tëra në rradhë, për të takuar kryetarin e Bashkisë Kuçovë. Ata shprehen se kryetari nuk i ndihmon për t’i punësuar në profesionin që ata zotërojnë prej vitesh, si përshembull murator, roje e të tjerë dhe tani gjenden në mëshirë të fatit e të papunë.

Ndërkohë nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë Kuçovë shprehet se janë të pavërteta fjalët që thonë të panunët, pasi çdo gjë është e dokumentuar. Janë mbi 1300 persona dhe shumë prej tyre, i ka pritur mbi 20 herë. Por sipas Kapllanit, ata duan punë të zgjedhur dhe mundësisht në bashki.

“Nuk është e vështirë fare për të më takuar, përkundrazi unë aty e kam të regjistruar që 80% e atyre që presin, i kam pritur mbi njëzet herë. Është e dokumentuar nga zyra e komunikimit, me emrat, datat kur janë bërë takimet, përgjigjet e kështu me rradhë.”
Punë ka por duhen profesionistë apo jo?
“Ne në fakt kemi profesionistë, por i kemi të sektorit të naftës.”

Cirku i Peshkopisë…cirk me vendet e punës.
Agron Strazimiri është trajner cirku prej 35 vitesh ku është nderuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkomëtare dhe ai mund të quhet me bindje të plotë “Mjeshtër i madh” në këtë fushë. Por Agroni ankohet në “Stop”, se prej shumë vitesh ka punuar në cirkun e Peshkopisë, por drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mufit Tupja, e ka hequr nga puna, duke e zëvendësuar me një person të diplomuar për punë sociale. Vetë Agroni tregon për rrugëtimin e tij në fushën e artit dhe saga e madhe në të cilën ndodhet sot.

“Kam mbi 35 vite që jam trajner i trupës së cirkut. Fillimisht kam ngritur trupën e cirkut në qytetin e Bulqizës. Në vitin 1998 kam ardhur në Peshkopi dhe kam ngritur trupën e cirkut këtu. Kam mbi 20 vjet që punoj në Peshkopi, nëntë vjet kam qenë instruktor i jashtëm dhe dhjetë vjet kam qenë punonjës efektiv. Dikur kam qenë edhe përgjegjës i sportit, para pesë vitesh, pranë këtij institucioni. Me rezultate shumë të larta kam marrë pjesë në takime kombëtare dhe ndërkombëtare, kam marrë çmime,dekorime e trofe të shumta. Unë kam marrë pjesë në të gjitha skenat e Shqipërisë. Pas kaq shumë vitesh unë kam ndërruar shtatë drejtorë. I vetmi drejtor, të cilin nuk e kuptoj, që ai duhet të shikojë se çfarë arritjesh janë bërë dhe nuk e di nëse e bën analizën ai, që unë kam ngritur jashtë mundësive nivelin artistik. Tani ato më kanë hequr nga puna, aty kanë sjellë një punonjës social.”

Më pas stafi i emisionit investigativ “Stop” u drejtua drejt drejtorit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Peshkopisë, për të kuptuar më tepër se cili ka qenë motivacioni i heqjes nga puna i mjeshtrit Agron. Por ja çfarë argumenti jep Mufit Tupja:

“Si drejtues mbaj përgjegjësi për çfarë vendos, për largimin dhe emërimin e mësuesve në institucionet publike. Drejtori mori masa për sistemimin dhe rishikimin e dosjes së punonjësve të saj, lidhur me plotësimin apo jo të kritereve që lejon ushtrimi i profesionit të mësuesit instruktor. Në dosjen që posedon Agron Strazimiri, nuk ekziston asnjë dokument apo diplomë.

Ai deklaron se është zëvendësuar nga një punonjës social, sa e vërtetë është kjo?Absolutisht nuk është zëvendësuar nga një punonjës social.

Tani cirku funksionon në institucionin tuaj?
Jo!

Pse?
Po nuk ka, nuk ta lejon ligji se kemi një punonjës që është jashtë çdo kompetence domethënë i pashkollë.

Instruktor i sektorit të sportit…çfarë është ky? Ju thatë që jep dy lëndë të gjuhëve të huaja?
Aktualisht, me vendim provizor. Është punonjës social me të lartën, por ka mbaruar për spanjisht shkollën në Bullgari, është i diplomuar dhe është shumë i përgatitur.

Por që është me pozicion instruktor?
Po instruktor quhen të gjithë.

Instruktor i sektorit të sportit, jo i gjuhëve të huaja
Ta thashë më duket, a nuk do të besosh apo çfarë?

Jo nuk është që nuk dua të besoj, por këtu është e shkruar instruktor i sektorit të sportit.
Instruktor me vendim provizor dhe tani po jep spanjisht për një muaj apo dy muaj.”

Por çështja nuk mbyllet me kaq. Vetë instruktori i “sportit” shpjegon pozicionin e tij të punës pranë këtij institucioni.

“Unë jam instruktor për gjuhë të huaja, në gjuhën angleze.

Në gjuhën angleze dhe spanjolle?
Po!

Por në dokumenta e kishe të shkruar zëvendësues për momentin instruktor.
Për momentin jam instruktor për gjuhë të huaja, deri sa të gjendet një për sportet.

Sa nxënës ke në klasë?
Për momentin kam tre grupe, një grup nga dhjetë, tetë apo shtatë.

Dhe çfarë jep aty?
Gjuhë angleze.

Vetëm gjuhë angleze?
Po!

Si titullohet vëndi yt i punës?
Instruktor.

Instruktor i sporteve?
Po instruktor i sporteve.

Domethënë anglishtja futet në sport?
Jo!

Si mund të të jesh në një pozicion të tillë?
Por ja që jam për momentin, kemi nënshkruar me drejtorin një dokument, për momentin deri sa të gjendet një person për sportet.”

Ndërsa drejtori rajonal i DAR në Peshkopi Drini Gjeci thotë, se është në dijeni të problemit, por do të presë vendimin e gjykatës.

“Jam në dijeni të problemit, për Agron Strazimirin. Ka qenë punonjës i QKF-së, ka një përvojë të gjatë pune. Gjithsesi kam marrë një vendim nga drejtori i këtij institucioni z. Mufit Tupja dhe në atë vendim jepet edhe motivacioni se pse është larguar nga puna zoti  Agron.

A jeni në dijeni ju se është zëvendësuar një mjeshtër i mash si Agron Strazimiri me një punonjës social?
Nuk jam në dijeni, do të thërras drejtorin zotin Mufit, do të marr sqarimet përkatëse dhe pastaj do të pres edhe vendimin e gjykatës sepse Agroni na ka çuar në gjykatë. Në fund mund të ndërhyj si institucion ndaj QKF- së, ose drejtorit të saj zotit Mufit Tupja.”

Vlorë, mësuesi me diplomë artesh nuk jep dot lëndën e muzikës.
“Stop” shkon në Vlorë me një tjetër problem social.Mësuesi i muzikës Alqi Lolo tregon, se ka studiuar për muzikë në Akademinë e Arteve dhe ka dhënë mësim për 2 vjet në shkollën “Ibrahim Kushta”. Në portalin “mësues për Shqipërinë” Alqi Lolo ka dalë i pari. Por të gjitha këto “asete” nuk i kanë garantuar dot as mbajtjen e vendit të punës.Drejtoresha e DAR Albana Hodaj thotë, se ka një ngërc ligjor,pasi kjo kategori nuk e ka të shkruar në diplomë “mësues”. Ndaj lënda e muzikës, si për paradoks, do t’i kalojë një mësuesi jashtë profili. Por drejtori i shkollës pretendon, se i ka dhënë masë disiplinore Alqit. Në një ballafaqëim me të rezulton, se nuk ekziston një masë e tillë…

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *