STOP – EMISIONI 18 (SEZONI 3)

Gara e gafave nga Elisa Spiropali te Lulzim Basha…
Elisa Spiropali, e zgjedhura e PS-së, është kapur gafil, ndërsa shprehej, se Ministria e Punës, para se të shkrihej,ishte trajtuar si thërrime, plackë apo kusur për partitë e vogla. Por parardhësja e Joleza Kokës në drejtimin e FRESH-it, harroi, se ministria në fjalë, ka patur në krye 3 socialistë të rëndësishëm: Erion Veliaj, Blendi Klosi dhe Olta Xhacka. Në një video të vjetër, nxjerrë nga arkivat, shfaqet Lulzim Basha, që nuk arrin të artikulojë, pavarësisht se provon me dhjetëra herë e nuk ndalet.Një raport i INSTAT për muajin gusht nxjerr në pah, se rritja e cmimeve për ushqimet dhe pijet joalkoolike ishte në masën 6.1%.

“Guximi” i pacipë i drejtësisë në hetimin e Guximtar Bocit.

Emisioni “STOP” i rikthehet dosjes skandaloze të hetimit të aferës seksuale të ish-kryetarit të gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili i kërkoi raport intim një qytetareje në këmbim të ndërhyrjes për një çështje. Pasi dosja kaloi për moskompetencë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë të Fierit, edhe në këtë të fundit hetimi u pushua. Emisioni “STOP” sjell anën skandaloze të këtij procesi të paravendosur nga ana e prokurores Elida Hoxhaj, që nga mosthirrja e “viktimës” së kësaj historie e deri tek mosmarrja e tabulateve, që do të provonin komunikimin mes Guximtar Boçit dhe qytetares. Gazetarët e emisionit “STOP” hedhin dritë mbi procesin ndaj një funksionari të drejtësisë dhe i dërgojnë shkresë zyrtare Prokurorisë se Fierit, Prokurorit të Përgjithshëm, KLD-së e Presidentit të Republikës.

Emisioni investigativ “STOP”, më datë 27 Tetor të vitit 2016, publikoi denoncimin e një qytetareje, e cila ka denoncuar kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, Guximtar Boçi, pasi i ka kërkuar favore seksuale në këmbim të drejtësisë. 

Gjyqtari – Ëëë, ndaj unë të merrja në telefon, ti nuk më përgjigjeshe, do pimë na një kafe.

Qytetarja – Në moment që ke një hall dhe dikush të ofron ndihmë , verbërisht i beson.
Gjyqtari – Unë ta ofrova?

Qytetarja –Ai personi, që ta ofron ndihmën, të thotë unë dua, që të bëhesh e dashura ime troç, se kshu ma the.
Gjyqtari – Po.

Gjyqtari – Të iku gjë ndonjë copë ty?
Gjyqtari – Ja të ikin këta. Po tani, si ti them unë, t’ia kërkojmë içik kësaj?
Përderisa nuk doje ti…
Qytetarja – Unë ta thashë, që herën e parë që ma the, unë të thashë jo.

Gjyqtari – Po mirë, ka një herë të dytë, një herë të tretë, të katërt…

Qytetarja – Po unë të erdha në zyrë, e lamë që do vija në zyrë dhe ti u hodhe të më puthje mua në zyrë.

Gjyqtari – Në faqe në faqe të putha, është respekt.

Këtë shqetësim qytetarja ia shpreh edhe gjyqtares së çështjes me emrin Blerta, duke i rrëfyer mbi vardisjen e kryetarit. Kjo e fundit pranon se fillimisht kryetari, Guximtar Boçi ishte interesuar për dosjen në fjalë, por më pas jo më.

Blerta Unë, kur më tha në fillim fare, që më ndërhyri , i thashë: unë do mundohem do ta bëj……..

Blerta – Në fillim tha bëje. Pastaj, kur i vajta unë që i thashë Guxim unë nuk e bëj dot, bëj ç’a të duash.

Qytetarja – I kuptoj të tëra gjërat.
Blerta – Ça?
Qytetarja – Të veja me të.
Blerta Ëhë.

Më pas gjyqtarja Blerta i ka thënë se e mori vendimin në disfavor të saj, për shkak se e kishin njoftuar nga KLD-ja se do t’i vinin kontroll për këtë dosje. 

BlertaTroç fare, unë nuk e bëra, se ajo filloi me letra. Filloi me ankesa edhe mua më erdhi sinjal nga shoqja ime, që e kam në KLD. Tha: Blerta do vijnë për filan dosje.

Por në sistemin e drejtësisë në Shqipëri nuk ka vetëm kërkesa për seks, por edhe shumë korrupsion e kërcënime. Emisioni “STOP” transmetoi një tjetër regjistrim audio, ku kreu i gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i tregon qytetares, sesi të veprojë në Apel, sa para të japë, se ndryshe nuk e fiton dot çështjen.

Qytetarja – Si s’ta jep pa lekë ai? Po sa lekë duhet t’i jap?
Gjyqtari – Po ku di unë, unë s’jam ai tani.

I gjithë ky skandal mbyllet me kërcënimin me jetë që Guximtar Boçi i bën qytetares, kur kjo e fundit i thotë, se e ka regjistruar…

Qytetarja– Hap krahun më para. Hajde!

Qytetarja – Të tëra regjistrimet që kam, të hënën i ke te gazetarja. Hajt mirupafshim tashi!

Gjyqtari – Ti atë bën edhe …

Qytetarja – Ja të shohësh.

Gjyqtari – Bashkë do ndahemi me plumbat.

Qytetarja – Po.

Gjyqtari – Se unë të flisja në mirëbesim.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi procedimin penal ndaj Guximtar Boçit për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Oficerët zbarkuan në Televizionin Klan për të marrë regjistrimet audio, të regjistruara nga qytetarja, në lidhje me skandalin seksual.

Të nesërmen, më datë 28 Tetor 2016, KLD shkarkoi dhe pezulloi Guximtar Boçin nga detyra si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, si dhe nisi një hetim mbi gjykimin e çështjes nga gjyqtarja Blerta Çibuku.

Çështja shkoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Guximtar Boçi ka dëshmuar për rreth 90 minuta përballë prokurorëve Pranvera Pustina dhe Arenc Çela.

Por, më datë 14 Shtator 2017, qytetarja tha për emisionin “STOP” se përveç dëshmisë që ka dhënë në Prokurorinë e Gjirokastrës, nuk është kontaktuar më.

“Vetë jam interesuar. Kam kërkuar një takim me prokuroren e çështjes, Pranvera Pustina. Kam arritur të takohem me të, por më ka pyetur thjesht si një bashkëbisedim, as më ka marrë deklarim, absolutisht asnjë gjë.”

Emisioni investigativ “STOP”  provoi se kjo çështje nuk është trajtuar siç duhet, pasi e krahasoi me rastin e gjyqtar Shyqyri Çobo, çështja e të cilit është referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe nuk është deleguar në asnjë prokurori tjetër.  

Denoncuesja tregoi se nuk është kontaktuar nga prokurorja e çështjes në Prokurorinë e Fierit, Elida Hoxhaj dhe se është interesuar vetë për ecurinë e hetimit në muajin Qershor. Pas insistimit të vazhdueshëm për të lënë takim me prokuroren Hoxhaj ose edhe për t’i lënë një kërkesë me shkrim, asaj iu komunikua nëpërmjet një njoftimi zyrtar se çështja ishte pushuar.

“Nuk jam dakort për shumë pika të hetimit. E para që prokurorja nuk i referohet aspak një fakti, që për mua është shumë i rëndësishëm. Mua Guximtar Boçi, pasi e vura në dijeni në lidhje me të gjitha regjistrimet që i kisha bërë, më ka kërcënuar me jetë: ‘Bashkë na ndan plumbi’. Në këtë hetim nuk është referuar në asnjë pikë të vetme.”

Qytetarja rrëfeu se Boçi ka pretenduar në prokurori se nuk e njeh, ndërsa gjyqtarja e çështjes së saj, Çibukaj ka deklaruar se nuk ka patur ndërhyrje nga kryetari. E pyetur nga gazetari i emisionit “STOP” nëse janë hetuar tabulatet telefonike, ajo tha se nuk janë hetuar as ato e as kamerat survejuese të lokaleve ku kanë pirë kafe.

“Aty është bërë një hetim si ta kishte bërë ndonjë nxënës!”

Gazetari i emisionit “STOP” tregoi një listë të gjatë me pikat që duhet të kishte hetuar prokurorja e çështjes, Elida Hoxhaj.

Denoncuesja tha se vendimin e prokurores Hoxha për të pushuar çështjen  e ka ankimuar prej rreth 1 muaji e gjysmë, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga gjykata e Fierit.

Por emisioni “STOP” nuk mund të mjaftohej me kaq, ndaj gazetari iu drejtua Prokurorisë së Fierit, për të komunikuar me prokuroren Elida Hoxhaj.

Gazetari – Znj. Hoxhaj, si kaluat? Genci Angjellari nga emisioni “STOP”.

Prokurorja Hoxhaj – Shiko! Më keni ofenduar me atë emisionin “STOP”, kështu që unë s’kam pse të jap informacion.

Gazetari – Po si mund ta pushosh çështjen pa e thërritur asnjëherë R.I.?

Prokurorja Hoxhaj – Nëqoftëse kërkon informacion, kërkoje zyrtar.

Gazetari – Zyrtare po e kërkoj.  Është absurde sepse nuk ke zbatuar nenen 169 (K.P.P) për ballafaqim e në vazhdim edhe nene të tjera. S’mund të mbyllet çështja.

Prokurorja Hoxhaj – Drejtoju gjykatës … !

Gazetari – Po, jo! Gjykata, kjo është tendencioze.

Prokurorja Hoxhaj – Unë mendoj që emisioni “STOP” nuk mund të ndryshojë vendimin. Zonja ka paraqitur një ankesë në gjykatë.

Gazetari – Po si mund ta pushosh një çështje pa e thërritur fare R.I.?

Gazetari i emisionit “STOP” shkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit për të ndjekur seancën gjyqësore për pushimin e vendimit të prokurores Elida Hoxhaj për çështjen e gjyqtarit Boci. Gjyqtari i kësaj seance u zgjodh gjykatësi Piro Sota.

Gjyqtari Sota – Çele seancën gjyqësore! Atëherë, palë të tjera të procesit kush janë?

Elida Hoxhaj, është paraqitur prokurorja? Po R.I.?

R.I. – Prezent.

Gjyqtari Sota – Guximtar Boçi është paraqitur? Kush është Guximtari?

Nuk është paraqitur. Ardian Visha nuk është paraqitur.

Tendenca për të hedhur pluhur mbi këtë çështje ishte edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, ku gjykatësi Piro Sota propozoi që çështja të zhvillohej në dhomë  këshillimi.

Gjyqtari Sota – Atëherë, ne pretendojmë që duhet të shqyrtohet në dhomë këshillimi, sipas ligjit të ri.

Avokati i R.I. – Edhe kërkesa ime ishte e qartë.

Gjyqtari Sota – Atëherë, le të dalim në dhomë këshillimi, vemë te zyra atje sepse nuk kemi të tjera dhoma këshillimi.

Avokati i R.I. – I nderuar! Transparenca, për mua, duhet të jetë e detajuar dhe s’besoj të ketë ndonjë gjë.

Gjyqtari Sota – Tani, ne po diskutojmë problemin e ligjit, të diskutojmë problemin e ligjit, pastaj …

Avokati i R.I. – Po, po! Problemi i ligjit. Unë kërkoj përjashtim të gjyqtarit në këto momente.

Gjyqtari Sota –  Patjetër! Ke të drejtë ta kërkosh.

Avokati i R.I. – Sistemi i audios është për transparencë.

Gjyqtari Sota – Hajdeni pak te dhoma e këshillimit dhe bisedojmë atje.

Avokati i R.I. – Jo! Unë kërkoj përjashtimin.

R.I.Jo! Jemi në seancë. S’kemi pse shkojmë në dhomë këshillimi.

Avokati i R.I. – Kërkoj përjashtim të trupit gjykues. Arsyet do t’i parashtroj.

I nderuar! Kërkoj përjashtim të trupit gjykues dhe është e padiskutueshme … arsyet do parashtrohen.

Gjyqtari Sota – Dakord! Dakord!

Duket qartë që gjyqtari është tendencioz dhe i njëanshëm për të mbyllur çështjen e Guximtar Boçit. Shprehja jashtë seancës gjyqësore të gjykatësit Sota, një shkelje e rëndë proceduriale kjo dhe nxjerrja jashtë e të pranishmëve, duke marrë parasysh që seanca është publike dhe nëqoftëse ajo nuk bëhet publike quhet e pavlefshme.  

Gjyqtari Sota –  Ju të tjerët dilni përjashtë! Prisni përjashtë!

R.I. – Është me dyer të hapura, pse duhet të dalin përjashtë?

Gjyqtari Sota – Prisni përjashtë! Edhe ju zotëri, prsini përjashtë!

Gazetari – Është seancë e hapur.

Gjyqtari Sota – Prisni përjashtë pra, prisni përjashtë!

Stafi i emisionit “STOP” ka qenë prezent në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Fier, kur Guximtar Boçi sëbashku me avokatin e tij kanë hyrë në zyrën e gjyqtarit Sota. Por pse Boçi nuk u paraqit në seancën gjyqësore dhe gjyqtari Piro Sota kërkoi zgjidhjen e çështjes në dhomën e këshillimit?!

Spitali i Durrësit në pritje të tenderimit për grafi e ezhe…
Kohë më parë “Stop” transmetoi problemin e mosfunksionimit të pajisjes së ezhesë në spitalin e Durrësit. Nëndrejtori i spitalit kishte deklaruar, se cdo gjë do të ishte në rregull për një javë, por as pas disa muajsh ajo nuk ishte funksionale. Ndrësa disa ditë më vonë, ishte ndrequr aparatura e ezhesë, por nuk punonte grafia.

Të Fundit