STOP – 19 Shkurt 2018 EMISIONI 121 (SEZONI 3)

Refuzimi i grave për të marrë mandat deputeti.

Si sot një vit më parë opozita zhvilloi një protestë kundër qeverisë, që përfundoi me ngritjen e cadrës disa mujore. Sot mori mandatin e deputetit Astrit Veliaj, pas dorëheqjes së Eduard Halimit dhe tërheqjes së dy grave nga lista e Beratit. Renaldo ka zhvilluar intervista me qytetarët, se pse gratë refuzojnë të bëhen deputete…?!

Fier, përmbyten banesat sociale, drejtoresha e Entit përplaset me qytetarët.

Qytetarët e pastrehë, që kanë përfituar nga projekti i banesave sociale në Fier, kanë hyrë në to që prej muajit Shtator. Por këto ditë, reshjet kanë hyrë brenda shtëpive të tyre, për herë të dytë.

Gazetarja e “Stop” vëzhgoi situatën dhe komunikoi me inxhinieren e “Entit të Banesave”, Eleonora Gjeka dhe drejtoreshën Lindita Çobo.

Në fillim zonja Çobo tentoi të mohojë situatën, por pasi shkoi në terren me gazetaren, premtoi zgjidhje.

Në redaksinë e emisionit “Stop” mbërritën disa video nga qytetarë, ku shfaqen banesat sociale të përmbytura.

Gazetarja iu drejtua Fierit për të komunikuar me disa banorë, të cilët kanë marrë banesa sociale me kredi të butë nga Bashkia Fier, për shkak se nuk kishin strehim. Ky është dimri i parë që kalojnë në këto shtëpi, por eksperienca ka qenë negative.

“Unë do t’i lutesha shumë Bashkisë dhe inxhinieres të vijnë të shikojnë se nga i futet uji kësaj shtëpie. Ne jemi nga ata që s’do paguajmë asnjë lekë derisa të na vijë në ndihmë shteti”, u shpreh një banore.

Lindita, një tjetër banore e prekur nga ky problem, tregon shtëpinë e saj, duke thënë: “Pllakat  tregojnë vetë historinë e ujit, që ka hyrë brenda. Janë ujë akoma dhe janë të dukshme shenjat e lagështirës. Direkt dyshova te tualeti, ndonjë tubacion a ndonjë gjë, por jo, ishte e thatë. Këtu jemi te ballkoni. Këtu gjithë uji rri këtu e nuk shkon në piletë sepse pedenca e ballkonit është bërë përballë sallonit, jo drejt piletës. Ky uji që rri këtu, futet brenda. Përveç kësaj, po më prishen edhe mobiljet!”

Ajo komunikoni me inxhinieren e Entit të Banesave, Eleonora Gjekan nëpërmjet një telefonate.

Lindita – Alo, Lola.

Inxhinierja – Po, urdhëro!

Lindita – Lindita jam.

Inxhinierja – Po Lindita…

Lindita – Çfarë bëhet me këtë verifikimin e ujit moj, se edhe shiu bie jashtë, e ne prapë po na hyn brenda.

Inxhinierja – Po çfarë të të them unë ty? Nuk e di cfarë të të them se firma ndërtuese ka marrë edhe garancinë e punimeve.

Lindita – Janë bërë punimet shumë skandal.

Inxhinierja – Janë bërë nga Drejtoria qendrore, nga “Enti Kombëtar i Banesave”.

Lindita – Kur hyra në Shtator, më hyri edhe një herë uji, që të mora në telefon. Ti the: “Edhe mua më ka hyrë uji”.

 Inxhinierja – Prapë t’u fut uji ty?

Lindita – Edhe mbrëmë. Hajde shikoje tani moj zonjë. Nuk jam as hidraulike, as inxhiniere, as duralumin. Ju lutem shumë, hajdeni më rregulloni ballkonin se unë nuk paguaj asnjë kokërr leku. Kur do t’i merrni masat për këtë çështje?

Inxhinierja – Do bisedoj me Linditën (drejtoreshën) që si mund ta gjejmë atë që ka bërë duralet.

Lindita – Akoma nuk është bërë biseda deri tani?

Inxhinierja – Po çfarë s’është bërë? Kemi qenë të zënë edhe neve ti…

Lindita – Kjo çështja jonë është aq elementare sa mos të merreni fare?

Inxhinierja – Po merremi edhe me atë. Ja do t’i them tani…

Lindita – Po kur? Kur të vdesim ne nga e ftohura?

Lindita thotë se Eleonora Gjeka është inxhinierja e cila ka marrë punëtorët, por pavarësisht përcjelljes së shqetësimit të tyre që në muajin Shtator, asgjë nuk është bërë.

Ndaj gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua “Entit Kombëtar të Banesave”, dega Fier për të marrë informacion për këtë problematikë nga drejtoresha Lindita Çobo.

“Pallati nuk ka asnjë problem, as në qëndrueshmërinë e dritareve, as probleme të qëndrueshmërisë së kasës, që mund të ketë rrezik nga furtunat, as të qëndrueshmërisë dhe izolimit të xhamit me kasën. S’mund të flitet për përmbytje në katin e tretë! Është mirë që të shkojmë atje!”

Gazetarja i tregon disa video, ku shfaqen banorët duke mbledhur ujin në shtëpi, por drejtoresha Çobo shprehet: “Kush është ky? Të punuar që bëka yt shoq! I dika mirë ai…” Më pas shton se personi në video është i verbër i kategorisë së parë, ndaj i bën çudi si e ka gjetur drejtimin për të mbledhur ujin.

Gazetarja – Është normale për një pallat të ri, të përmbytet në këtë formë?

Drejtoresha Çobo – S’është normale, s’e di se çfarë fenomeni ka ndodhur. Asnjëherë zonja nuk ka qenë në zyrën time për këtë rast.

Gazetarja – Ankesa e banorëve te “Enti i Banesave” ka ardhur që në Shtator. Përveç fjalëve të qytetares, e verifikuam me një telefonatë që kishim me inxhinieren e institucionit tuaj, e cila …

Drejtoresha Çobo – Në çfarë forme?

Gazetarja – Në të gjitha format!

Drejtoresha Çobo – Inxhinierja ka qenë e gatshme dhe i është përgjigjur edhe në telefon, edhe ditën edhe natën.

Gazetarja – Nga Shtatori jemi në Shkurt, zonjë e dashur, kanë kaluar disa muaj. Nuk i keni paraprirë…

Drejtoresha Çobo – Nuk e di çfarë telefonate është kjo, nuk jam në dijeni se çfarë lloj telefonate është kjo.

Gazetarja – Ja, se ta tregoj unë! (Vendos regjistrimin)

Drejtoresha Çobo – Kjo është sot, kur ke ardhur ti në Shtator?

Gazetarja – Telefonata është bërë sot moj zonjë.

Drejtoresha Çobo – Se e ka thënë kjo (denoncuesja). Jemi me problematikat e njerëzve dhe nuk mbajmë evidencë, e paska thënë kjo në Shtator …

Gazetarja – Qenke shumë dilplomate për të bërë kështu …

Drejtoresha Çobo – Jo, unë jam inxhiniere dhe shkojmë atje ku është problemi. Bëhu dhe ti një çik inxhiniere.

Gazetarja – Jo, unë jam gazetare!

Drejtoresha Çobo – Flasim me këmbë në tokë!

Gazetarja – Ja, me këmbë në tokë që në Shtator!

Drejtoresha Çobo – Uaaa, paska marrë telefon kjo e ça? Na zure mat ti ne?

Por pa u nisur ende, gazetarja vëren se edhe muret e këtij institucioni janë me lagështirë dhe këtë ia komunikon dhe drejtoreshës së “Entit Kombëtar të Banesave”, e cila shprehet: “Prandaj janë njerëzit në punë, se ka probleme gjithmonë”.

Më pas iu drejtuan banesave sociale, ku Lindita Çobo u përplas me banorët.

Gazetarja – Siç e shikojmë në këto pllaka, duket lagështira.

Drejtoresha Çobo – Jo, nuk duket! Nuk është lagështirë!

Gazetarja – Po çfarë është?

Qytetarja 1 – Ça është mo? Hë mo, ça është? Më thuaj një çikë ça është?

Drejtoresha Çobo – Po ti nga e shikon?

Qytetarja – Të paktën ti shikon, por budallaçkë si puna jote nuk jam unë! Kaq po të them unë! Mos më thuaj mua nuk shikon! Unë e di që nuk shikoj, por mendja nuk më ka lënë!

Te të gjithë dhomat me rrecka i mbajmë dritaret. Kullojnë dritaret, të gjithë ujin në shtëpi e kullojnë!

Drejtoresha Çobo – Kjo dritare është realizuar pas projektit dhe nuk ka asnjë gjë mangut nga projekti.

Qytetarja – Mos thoni nuk ka mangët ..

Drejtoresha Çobo – Unë flas si inxhiniere.

Qytetarja – Çfarë inxhinierie? Inxhiniere thotë kjo! Inxhinierja s’merr vesh nga dynjaja!

Gazetarja – Në qoftë se është në rregull, pse duhet të vendosin leckën këtu?

Drejtoresha Çobo – Edhe lind nevoja.

Gazetarja – Si pasojë e ujit i janë prishur edhe mobiljet.

Drejtoresha Çobo –  Jo, nuk është nga ajo.

Gazetarja – Po nga se është?

Drejtoresha Çobo – Se i ka mbërthyer e zbërthyer disa herë! Në raste të tilla duhet të kishin treguar pak kujdes!

Qytetarja 2 – Të jesh me shtëpi e të kesh kujdes? Është më mirë në kasolle, atje mund të bësh kujdes, jo në kat të tretë.

Drejtoresha Çobo – Është një fenomen që nuk të ndodh përditë. Janë detaje të vockla. Një pikë silikon sepse nga vjetërimi i humbet vetia ngjitëse. Po pra, kanë 6 muaj.

Pas shumë mohimesh, drejtoresha e “Entit Kombëtar të Banesave” në Fier, Lindita Çobo premtoi se do të bisedojë me Drejtorinë Qendrore për të siguruar këto banesa nga përmbytje të tjera të mundshme.

Banorët e banesave sociale falenderuan emisionin “Stop”, duke shpresuar që kjo situatë të mos përsëritet më.

Të Fundit