Solidaritet me nënë Hasimenë, Stop e Fundjava rikthehen me ndihma. 30 maj 2018 – Stop
Të Gjitha

Solidaritet me nënë Hasimenë, Stop e Fundjava rikthehen me ndihma. 30 maj 2018

Pak kohë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e 94-vjeçares Hasime Veizi, të cilës si të mos i mjaftonin problemet e moshës dhe vetmia, i kishin hequr prej 2 muajsh energjinë elektrike.

“Nuk kam dëgjuar e nuk kam parë që të lesh një plakë 3-4 muaj pa drita që të bjerë nga krevati. Nuk më mori Zoti, më la për të vuajtur!”, u shpreh asokohe me lot në sy e moshuara.

Djali i saj, Bilbil Veizi tregoi se pas vdekjes së të vëllait që jetonte me të, i ka paguar ai faturat e energjisë elektrike, por kontrata me OSHEE-në ishte në emër të një tjetër vëllai, që jeton jashtë Shqipërisë.

“Ku është e drejta e njeriut? Që të jetojë dhe kjo plakë si gjithë të tjerët! Unë i bëj thirrje qeveritarëve që ta shohin këtë gjendje dhe jo të më sorrollasin mua për të ardhur e për t’i lidhur një dritë kësaj plake këtu”, tha i shqetësuar Bilbili.

Gazetarja e emisionit “Stop” u interesua për këtë shqetësim të nënë Hasimes pranë degës së OSHEE-së në Kinostudio. Drejtori i Divizionit Tregtar OSHEE, Elton Sevrani u shpreh se ky është një rast i veçantë për rregulloren e këtij institucioni, pasi detyrimi duhet të shlyhet nga vetë mbajtësi i kontratës, pra djali i Hasimes që ndodhet në SHBA.

“Por duke qenë se kemi të bëjmë me një situatë specifike, kur mamaja e të dy zotërinjve ndodhet në kushtet që duhet të ketë furnizim me energji elektrike, ne kemi pranuar këtë kërkesë të zotërisë për të qenë ai likujduesi i këtij detyrimi“, tha drejtori Sevrani.

Ditën tjetër, punonjësit e OSHEE-së i rilidhën energjinë elektrike 94-vjeçares. “Shyqyr që më hapët sytë se më ishin zënë. Rrofshi e qofshi, Zoti ju dhëntë shëndet e u bëfshi 200 vjeç!”, u shpreh e entuziazmuar e moshuara.

Por emisioni “Stop” nuk u ndal me kaq për rastin e të moshuarës që jeton në kushte të vështira. Gazetarja u rikthye te nënë Hasimeja së bashku me “Fundjavë Ndryshe” për t’i çuar ndihma dhe për t’i premtuar që emisioni “Stop” do ta ndihmojë sa herë të ketë nevojë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *