‘Situata e COVID, serioze’, Merkel: Duhet të izolohemi për të ndihmuar sistemin shëndetësor

Situata nga COVID-19 është shumë serioze dhe duhet trajtuar me seriozitet.

Kështu e nisi fjalimin para Bundestagut kancelarja Angela Merkel, qeveria e së cilës është përballur me shumë kritika për mënyrën sesi po menaxhohet pandemia.

Kancelarja mbrojti fort idenë se vendi duhet të hyjë në izolim për të ndihmuar edhe sistemin shëndetësor I cili ndodhet nën presion të lartë.

“Fatkeqësisht duhet ta them sërish, situata është shumë serioze dhe duhet ta marrim seriozisht. Vala e tretë e pandemisë ka përfshirë fort vendin tonë. Kjo është ajo çka bëjnë me dije numrat e të infektuarve nga instituti Robert Koch mbi të gjitha, kjo është ajo që tregon numri i shtretërve në kujdesi intensiv. Punonjësit e kujdesit intensiv po dërgojnë herë pas here thirrje ankthi. Kush jemi ne që të injorojmë lutjet e tyre? Shumë shtete të tjera si Britani, Irlanda, Franca, Holanda kanë vendosur shtetrrethimin. Përse kanë vepruar kështu këto vende e madje kanë marrë masa më strikte sesa ato qe ne kemi planifikuar?”, deklaroi Merkel.

Debatet kanë përfshirë Budenstagun gjerman pikërisht për amendamentin që parashikon masa më strikte kundër COVID. Partia AFD e ekstremit të djathtë ka mbështetur protesta kundër masave kufizuese duke i cilësuar cenim të demokracisë.

“Shtesa e propozuar në Ligjin për Mbrojtjen nga Infeksioni është një dokument alarmues që tregon forcim të rregullit shtetëror. Ky kthim te ‘një demon autoritar” e ka origjinën në kancelarinë tuaj dhe tek ju zonja Kancelare. Mosbesimi juaj kundër qytetarëve dhe institucioneve demokratike është qartë ajo që çoi në këtë projektligj “, u shpreh  Alice Weidel, kryetare e AFD-së.

Gjermania regjistroi të enjten 29 mijë raste të reja infektimesh me Covid-19, rritja më e madhe ditore e rasteve që nga data 8 janar, teksa u raportuan edhe 293 viktima nga Covid-19.

Në Gjermani po mbizotëron varianti britanik i Covid-19, i cili ka transmetueshmëri dhe virulencë më të lartë se varianti tradicional. Autoritetet janë kritikuar edhe për procesin e ngadaltë të vaksinimit.

Të Fundit