Shtrenjtimi i naftës, Shoqata e Transportit paralajmëron ndërprerje të shërbimit nga 1 marsi

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron se nga 1 Marsi do të ndërpritet shërbimi i transportit urban për kryeqytetasit nëse qeveria nuk miraton kërkesat e tyre fiskale.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erjon Veliaj; Zëvendëskryeministër Arben Ahmetaj; Ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministres të Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku kompanitë grenë shqetësimin se shtrenjtimi i çmimit të naftës ka shtuar kostot për 48% të aktivitetit të tyre.

Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të kompensuar humbjet që po shkaktohen nga rritja e çmimeve të naftës. Kërkesat e tyre janë që nga rimbursimi i TVSH-së në shitje, Heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër; Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.

Prej 2020 operatorët operojnë me 55% më pak të numrit të udhëtarëve krahasuar me periudhën para krizës. Për shkak të humbjeve nga rënia e pasagjerëve tetorin e 2021-t ata paralajmëruan reduktim 50% të shërbimit deri në ndërprerjen e tij. Sakaq në fund të muajit dhjetor për të kompensuar humbjet nga rënia e frekuentimit, bashkia e Tiranës miratoi vendimin për shpërndarjen e 1 milion eurove subvencione për transportin urban me qëllim mbulimin e kostove nga rënia e frekuentimit. 11 kompani të transportit urban kryeqytetas do të përfitojnë 15,000 deri 20,000 euro nga subvencioni i buxheti të Bashkisë të Tiranës. Pagesa për operatorët do të jetë e shtrirë për periudhë 6 mujore. Më herët kompanitë e transportit urban paralajmëruan se subvencionet e bashkisë nuk arrijnë të kompensojnë humbjet nga rritja e lartë të çmimit të naftës, nëse nuk miratohen kërkesat e tyre fiskale.

Letër e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, drejtuar:

Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erjon Veliaj; Zëvendëskryeministër Arben Ahmetaj; Ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministres të Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku.

Shërbimi i transportit qytetës (urban) të udhëtarëve, në vendin tonë, që prej 20 viteve, kryhet nga subjekte private, të licencuara nga bashkitë përkatëse. Në këndvështrimin e funksionimit të tyre, si biznese, këto subjekte, të ardhurat për realizimin e këtij shërbimi i sigurojnë vetëm nëpërmjet tarifave që paguajnë drejtpërdrejtë udhëtarët që përdorin këtë lloj shërbimi. Operatorët privat që kryejnë këtë lloj shërbimi janë të bashkuar në Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetës (SHKTQ), e cila në vazhdim dëshiron edhe një herë të ngrejë shqetësimet që ndeshen dhe që përcaktojnë vazhdimësinë e këtij biznesi. Në muajt e fundit çmimi i naftës është rritur në nivele alarmante. Ndikimi kësaj rritje është në kostot e secilit operator, ku pamundësia për blerjen e saj në kohë, sjell një shërbim jo cilësor, vonesa në ofrimin e shërbimit dhe njëkohësisht kjo do sjellë edhe ulje të kërkesës së përgjithshme.

Sektori i transportit është shumë intensiv në veprimtarinë e tij dhe për këtë arsye ndikimi i çmimeve më të larta të naftës dhe derivative të saj, i përkthyer në çmime më të larta të karburantit është i rëndësishëm dhe thelbësor për veprimtarinë tonë dhe ndikon drejtpërsëdrejti në aftësinë për kryerjen dhe ofrimin e shërbimit për qytetarët.

Nga shoqata jonë janë ngritur një sërë propozimesh të rakorduara dhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë z.Veliaj, si Bashkia me aktivitetin më të madh të transportit, mbi disa lehtësi të domosdoshme për sektorin tonë, pa të cilat shërbimi që ne ofrojmë do të shkojë drejt mbylljes si arsye e pamundësisë financiare.

Për të mbështetur kërkesën tonë Ju sqarojmë se në koston e shërbimit tonë, rreth 48% vjen nga karburanti dhe derivatet e tij ku në muajt e fundit janë rritur me të paktën 25%. Këtë rritje ne e kemi të pamundur ta reflektojmë në çmim, ashtu siç logjikisht e bën çdo biznes tjetër, përderisa çmimi i shërbimit tonë është i përcaktuar me Vendim të Këshillit Bashkiak.

Sot, për të bërë të mundur vazhdimin e shërbimit, pa cenuar cilësinë e tij, e cila është jetike për qytetet tona, ju sjell në kujtesë propozimet tona kundrejt qeverisë qendrore dhe asaj lokale në ndihmë të sektorit tonë, të cilat pavarësisht se janë rakorduar, pranuar dhe premtuar se do të realizohen, ende nuk shihet asnjë veprim konkret mbi to dhe ato janë si më poshtë:

Në mungesë të marrjes së masave, shoqëritë e transportit qytetës, me datë 1 Mars 2022 do të ndërpresin aktivitetin e tyre duke mos ofruar shërbimin qytetarëve. Kërkesat kanë qenë të shumta ashtu sikurse edhe premtimet për veprim dhe zgjidhje, por për sa kohë fenomeni vazhdon të mbetet i njëjtë dhe nuk ka asnjë marrje mase apo ndihmë kundrejt këtyre subjekteve, mosofrimi i shërbimit do të vazhdojë deri në momentin që këto kërkesa do të realizohen me veprime.

Theksojmë se marrja e masave si më sipër nuk është në dëshirën e shoqërive tona, por të gjendura në pamundësi financiare të secilës prej tyre që ofrojnë këtë shërbim.

Me bindjen që kërkesat tona janë të drejta dhe të realizueshme, mbetemi në pritje të një përgjigje pozitive nga ana Juaj. /MONITOR/

Të Fundit