Shtimi i infektimeve, mjeku: Vaksinohuni, koronavirusi nuk e ka ulur agresivitetin

Teksa prej disa ditësh në vendin tonë ka një rritje të lehtë të numrave të infektimeve me covid-19, një apel ka ardhur nga mjeku Dhimitër Kraja.

Ai me anë një video të shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka dhënë një mesazh të qartë për shqiptarët duke thënë se duhet të vaksinohen të gjithë.

Sipas Krajës, e përbashkëta e pacientëve aktual me covid-19 është se nuk janë vaksinuar dhe sipas tij zgjidhje përfundimtare është vaksinimi i popullatës.

“Meqë ndodhemi në një moment të ri te rrjedhës së pandemisë së COVID-19 në vendin tonë, mendojmë se është e arsyeshme të vëmë në ndukje disa dukuri që janë të rëndësishme për një sensibilizim për situatën që po kalojmë.

Prej disa ditësh, në spitalin COVID1 ka disa të dhënë të reja, nga pikëpamja statistikore kemi një shtim të rasteve.

Një karakteristikë e përbashkët epidemiologjike e këtyre rasteve është se të sëmurët janë të gjithë të pavaksinuar. Pra virusi qarkullon në Shqipëri ende, duke ruajtur infektueshmërinë e tij, për të kapur të pavaksinuar, ai ruan agresivitetin e tij.

Të gjitha këto çojnë në një konkluzion logjik, duhet të vaksinohemi të gjithë!

Duhet të vaksinohemi në mënyrë të plotë, jo bëjmë dozën e parë dhe mos të bëjmë të dytën. E fundit është se veç vaksinimit që është detyra e të gjithë shqiptareve, duhet të zbatojmë të gjitha masat e parandalimit të përhapjes së sëmundjes,” -tha mjeku i njohur.

Të Fundit