Mini-shengeni/ Kosova: Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë

Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.

Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si nikoqir i këtij takimi, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët. /REL

Të Fundit