Rindërtimi i Shqipërisë me borxhe, si do të përdoren huatë e marra

Qeveria bëri “bingo” në kërkesën e saj për donacione për rindërtimin pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Nga 1 miliardë euro që ishin vlerësuar nevojat e rindërtimit bazuar në raportin e Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë së Tërmetit, ajo arriti të sigurojë 115% të kësaj shume, ose 1.15 miliardë lekë. Por, 74% e tij është borxh me kushte të buta, që nëse do të përdorej përnjëherë do ta rriste borxhin publik me 7 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ekspertët e ekonomisë arrijnë në konkluzionin se përdorimi i kredive për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti do të ndikojnë në rritjen e borxhit publik dhe deficitit. Azmi Stringa pedagog, tha se pavarësisht kohëzgjatjes së disbursimit të kredive ato do të rrisin borxhin publik në nivelin e 72 për qind.

Sipas tij, kjo vjen për shkak të ngushtimit në vite të hapësirave fiskale korrigjuese të vendit dhe mosrealizimit të objektivit për ta mbajtur borxhin nën 60 për qind të PBB-së.

 “Sot do të kishim më shumë hapësirë për të shpenzuar për rimëkëmbjen nga tërmeti. Madje, me intensitet të lartë. Fatkeqësisht vendi ynë është larg realizimit të objektivave të vendosura për borxhin publik, detyrimeve të prapambetura, reformës në sektorin e energjisë”, u shpreh Stringa. Sipas tij fatura e borxhit do të paguhet nga shoqëria.

 

Edhe për ekspertin e ekonomisë, Arben Malaj përdorimi i kredive për zonat e tërmetit do të rrisë presionin ndaj borxhit dhe deficitit buxhetor nëse nuk do të ketë rritje ekonomike. Malaj shpjegon se nëse rritja ekonomike vijon nga 2.4 për qind në 4.1 për qind presionet ndaj treguesve si borxhi publik dhe deficiti do të zbuten në planin afatmesëm. Banka Botërore rekomandon që të bëhet kujdes me përzgjedhjen e projekteve, me qëllim minizimin e efekteve negative në ekonomi. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në vendin tonë, Maryam Salim thotë se nëse do të zgjidhet projekti i duhur për zbatim, efekti te rritja ekonomike dhe borxhi publik do të jetë pozitiv.

“Nëse këto projekte zgjidhen me kujdes për të përmirësuar stokun e kapitalit prodhues që përdor ekonomia, këto do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe në këtë mënyrë do të përmirësojnë kapacitetin e shërbimit të borxhit të vendit”, vlerësoi ajo.

Sipas raportit për vlerësimin e kostove të hartuar nga banka Botërore, qeveria, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, tërmeti vlerësohet të ketë shkaktuar efekte që janë sa 6.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në dëme dhe në 1.1 për qind të PBB-së në humbje.

 

 

Të Fundit