Qeveria merr vendimin/ Policia mund të bëjë edhe shërbime me pagesë

Policia e Shtetit do të ofrojë shërbime me pagesë edhe për sektorin privat dhe mund të ruajë edhe për tre muaj kundrejt pagesës persona juridikë që mendojnë se janë në rrezik. Ky vendim është marrë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave që ka bërë ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit.

Sipas vendimit “Policia e Shtetit mund të ofrojë shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre, për mbështetje në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, teatro, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, në rastet kur organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë pajisur me vërtetim sigurie nga Policia e Shtetit me sigurimin fizik privat, për të ruajtur sigurinë brenda perimetrit të zhvillimit të aktivitetit”.

Do të lejohet tashmë vënia në përdorim e uniformës së Policisë së Shtetit, armëve me fishekë manovre, pajisjeve të tjera, mjeteve të loguara policore dhe ambienteve, në fushën e kinematografisë apo zhvillimit të xhirimeve filmike.

Kundrejt pagesës policia mund të angazhohet në shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, në rastin e kushteve shtesë të sigurisë, të mjeteve jashtë norme dhe transporteve në kushtet jonormale.

Efektivët e policisë mund të angazhohen në ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.

Ligji ka parashikuar edhe tarifat për të gjitha shërbimet.

“Subjektet juridike e fizike, publike ose private, që kanë nevojë për shërbime policie shtesë, paraqesin kërkesë të argumentuar on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-albania”, jo më vonë se tri ditë përpara datës së shërbimit të kërkuar.

Pas vlerësimit të kërkesës, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve, subjektit i kthehet përgjigje on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e- Albania” për miratimin ose refuzimin e kërkesës dhe i dërgohet kontrata e ofrimit të shërbimit, e cila nënshkruhet nga titullari i njësisë shpenzuese, që ofron shërbimin.

Të ardhurat, që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90% nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar mbulimin e shpenzimeve të kryera për ofrimin e shërbimit, sipas këtij vendimi, dhe 10% derdhen në buxhetin e shtetit. Këto të ardhura nuk mund të përdoren në asnjë rast për shpërblim” – thuhet në ligjin e miratuar.

Të Fundit