Pilula anti-covid e ‘Pfizer’, shpëton nga vdekja dhe shtrimi në spital

Një pilulë për trajtimin e COVID e prodhuar nga kompania “Pfizer” redukton rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjes me 89 për qind tek të rriturit e cënueshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë grupi farmaceutik amerikan, pas rezultateve paraprake.

Ilaçi, i njohur me emrin “Paxlovid”, duhet të përdoret menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para tek njerëzit me rrezik të lartë sëmundjeje.

Konstatimet vijnë një ditë pasi entet mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar aprovuan mjekimin me ilaçin e kompanisë “Merck Sharp”.

“Pfizer” deklaroi se i ndërpreu testet e mëtejshme pasi rezultatet e para ishin pozitive. Ilaçi i saj është projektuar të bllokojë një enzimë që i duhet virusit në mënyrë që të shumëfishohet. Ajo merret dy herë në ditë për 5 ditë rresht.

“Pfizer” deklaroi gjithashtu se planifikon t’ia paraqesë shumë shpejt rezultatet e ilaçit Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave. Por të dhënat e plota mbi testet nuk janë publikuar ende nga kompania.

Më herët, presidenti Joe Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar tashmë miliona doza të ilaçit në fjalë.

Të Fundit