Masat anti-COVID, Policia: Pas orës 22:00 të ndalohet muzika

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj ka qenë ditën e sotme në një komunikim për mediat teksa ka paraljmëruar edhe masat e reja të cilat pritet të ndërmerren nga policia pas vendimit për lehtësim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Së pari, duke filluar nga data 1 qershor 2021 ora policore sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jetë nga ora 23:00 deri 06:00, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Është njoftuar gjithashtu se bizneset dhe të gjitha mjediset e shërbimit do të ndajojnë muzikën në orën 22:00.

“Detyrimet gjatë orës kufizuese tashmë janë të njohura, megjithatë theksoj se kërkohet që të gjithë shtetasit që për arsye punë do të lëvizin përtej orës 23:00, të jenë të pajisur me leje nga e-Albania ose të kenë dokumentin që vërteton se është punonjës në një nga shërbimet kritike.  Gjithashtu duke filluar nga data 1 qershor 2021, orari i ndalimit të muzikës në çdo mjedis shërbimi referuar Aktit Normativ dhe urdhrit të Ministrit të Brendshëm, nr. 237 datë 27.05.2021,është përcaktuar ora 22:00. Ftojmë të gjithë shtetasit që banojnë apo ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë që të zbatojnë orën policore, të mbajnë barrierat mbrojtëse (maskat) në ambientet e brendshme dhe mjetet e transportit publik, dhe sidomos të zbatojnë orën 22:00 për ndalimin e muzikës në çdo mjedis shërbimi.”- u shpreh Dervishaj.

Së dyti, sipas zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit  të pezulluara për  një  periudhë  trevjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ zëvendësohen me dënimin, me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh.

Referuar nenit 2 të Aktit Normativ, masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh. Njoftojmë qytetarët shqiptarë që kanë pasur një dënim administrativ të tillë që në zbatim të Aktit Normativ, të drejtohen në strukturat respektive të Policisë Rrugore (OASH), ku kanë marrë vendimin e dënimit administrativ për pezullimin e lejes së drejtimit apo bllokimin e mjetit, për të kryer procedurat përkatëse të tërheqjes së tyre, nëse kanë plotësuar afatin 30 ditor. “– përfundoi zëvendës drejtori

Të Fundit