Magazina e sekuestruar nga AKU prodhon e hedh ushqime në treg 26 qershor 2018 – Stop
Të Gjitha

Magazina e sekuestruar nga AKU prodhon e hedh ushqime në treg 26 qershor 2018

Në datën 8 Maj 2018 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe krimi ekonomik arrestuan në flagrancë Luan Çuliqin dhe vunë nën sekuestro magazinën e tij në Shkodër, ku prodhonte produkte ushqimore jashtë çdo kushti sigurie.

Produktet ushqimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, si dhe iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “fshehje e të ardhurave” dhe “prodhim i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale e ushqimore”.

Por “Stop” zbuloi se këto prodhime tanimë shpërndahen në treg nga i biri i Luan Çuliqit, ndërkohë që duhet të qëndronin të sekuestruara në magazinë. Nëpërmjet kamerës së fshehtë u provua me zë dhe figurë se këto produkte ushqimore vijojnë të tregtohen në Milot dhe Shkodër.

Klienti – Ça bëre?

Shitësi – Mirë! Si kalove?

Klienti – Një pyetje, reçel ke? Ç’a çmimi ka?

Shitësi – 250 lekë, 500 lekë.

Klienti – Po të marr kështu, me shumicë për mëngjes te hoteli?

Shitësi – Nuk shes me shumicë. Shkodër thotë.

Klienti – Po, Shkodër! M’i bëj t’i marr! Nuk ka kokërr the ti ëëë?

Shitësi – Jo, s’ka! Këto janë të mirë, këto të mëdhajat.

Klienti – Janë të mira!

Shitësi – E kam një vetë në shpi, kurse këto veç me të rrejt se s’i kam provu.

Klienti – Po me e marr te këta, si mund ta marr vetë, mos e mar më lirë. A sjellin këta?

Shitësi – Vijnë ato furgonat e na i lejnë ne ato furgonat e mallit.

Klienti – Rrofsh! Faleminderit!

Ndërkohë që në një nga pikat e shitjes, kamera e fshehtë e emisionit “Stop” shfaqi vetë transportuesit e produkteve. “Kjo është kova më e shtrenjtë në treg, që e marrin edhe Tirana….”, u shprehën ata për të bindur blerësin.

Gjatë komunikimit të gazetarit të emisionit “Stop” me drejtoreshën e AKU Shkodër për këtë çështje, kjo e fundit tha se është mbajtur një preocesverbal me produktet e sekuestruara dhe nëse ato nuk gjenden në magazinë, do të merren sërish masa ndaj subjektit.

Por ende nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare as nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit Shkodër dhe as nga krimi ekonomik në lidhje me shitjen e produkteve ushqimore, të cilat janë jashtë çdo lloj standardi ushqimor.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *