Kryebashkiaku i Gjirokastrës: Pa fjalë nga aksidenti në Muzinë, humba të afërmin tim!

Një nga viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi këtë të enjte në Muzinë, rezulton të jetë i afërm i kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Golemi. Ky i fundit, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, shprehet se shoferi i furgonit, Bardhi Proda, është një i afërm i tij.

Veç ngushëllimeve të përcjella për viktimat, kryebashkiaku i Gjirokastrës bën apel për të udhëtuar me kujdes në rrugë.

“Pa fjalë nga çfarë ndodhi sot në Muzinë, ku sa hap e mbyll sytë u këputën 5 jetë në një aksident tragjik. Pesha e dhimbjes është e rëndë për këdo që dëgjon një lajm të kobshëm si ky. Shumë më shumë për mua që humba të afërmin tim, Bardhin, shoferin fatkeq që e bënte atë rrugë për gati 20 vjet e kurrë nuk bëri një gabim në timon. Hetimet do të zbardhin të vërtetën e ngjarjes, që me siguri do të harrohet si shumë të tjera. Por ajo që duhet përsëritur vazhdimisht e vazhdimisht nga të gjithë ne, është një apel i thjeshtë: Mos rrezikoni jetën tuaj kur jeni në timon dhe as të të tjerëve që kalojnë në rrugë. Thirrini mendjes, qoftë me shpejtësinë, parakalimet e gabuara apo deri te përdorimi i celularit. Ngushëllime familjes Proda, familjes Korçari dhe Fediaieva. Shërim të shpejtë edhe për vajzat që morën lëndime!”, shkruan Golemi.

Të Fundit